SPAK mbyll hetimet për Fushë-Arrëzin, ish-kryebashkiaku i PS-së Fran Tuci akuzohet për shpërdorim detyre
Prokuroria e Posaccme SPAK njofton mbylljen e hetimeve për zyrtarët e bashkisë së Fushë-Arrëzit të kryesuar nga ish-kryebashkiaku Fran Tuci.
SPAK bën me dije se tashmë dosja i ka kaluar për shqyrtimin GJKKO-së.
Lejimi i ndërtimit të 2 kilometrave rrugë në mes të pyllit do t’i kushtonin prangat ish-kryetarit të bashkisë së Fushë Arrëzit, i cili u arrestua mbrëmjen e 12 korrikut, ndërsa akuzohet për shpërdorim detyre dhe dëmi i llogaritur shkon në 2 milionë euro.
Po ashtu nën akuzë janë dhe zyrtari tjetër i bashkisë Ndoc Marku, si dhe Durim Margjekaj, i akuzuar për ndërtim pa leje.
NJOFTIMI I SPAK

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 67 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 16.08.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:
1. Fran Tuci, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
2. Ndoc Marku, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
3. Durim Margjekaj, akuzuar për veprën penale të “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pgf 4 i Kodit Penal.
Nga analiza e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezulton se është e provuar që të pandehurit Fran Tuci dhe Ndoc Marku, në bashkëpunim mes tyre, me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dëmtimin e rëndë (vlerësuar në 234,007,500 lekë) të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz.
Ndërsa i pandehuri Durim Margjekaj, në cilësinë e administratorit të firmës “Legjendari” sh.p.k. me dashje të plotë dhe të drejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse duke sjellë pasoja të rënda në pasurinë e llojit “fond pyjor” në pronësi të bashkisë Fushë Arrëz.
Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.





