Skandali “McGonigal”, Berisha: Rama si puçist tentoi të shuajë pluralizmin
Nga mbledhja e kryesise se Partisë Demokratike, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur në lidhje me skandalin “McGonigal” dhe përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në një ngjarje të tillë.
Berisha tha se kryeministri Rama tentoi të shuajë pluralizmin në vend.
“Mblidhemi sot në një moment, të pashembullt, të jashtëzakonshëm, mblidhemi në një kohë kur për shkak të akteve mirëfilltas, antishqiptare, antidemokratike, antikombëtare të Edi Ramës, Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni të fuqishëm mediatik botëror, në qendër të një akti që tejkalon çdo lloj imagjinate.
Kur një vend që i detyrohet më shumë se një vend tjetër SHBA-së, Shqipëria, kur një vend anëtar i NATO, merr përsipër, i korrupton, vendit udhëheqës të Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendit udhëheqës të sigurisë dhe paqes në botë, SHBA-së, një nga njerëzit më kryesorë të fushës së sigurisë, dhe këtë e bën, ky njeri është Edi Rama.
Të marrësh përsipër një akt të tillë, të shndërrosh në aset me korrupsion një njeri që kurrë nuk e meritonte atë detyrë, por që kishte një pozicion të jashtëzakonshëm për nga rëndësia në sigurinë e SHBA-së dhe të vendeve të lira, do të thotë kryen një akt armiqësor të përmasave, tejkalon çdo lloj limiti, linje.
Vizitat private në Shqipëri, duke qenë në detyrë, takimet e tij të fshehta të Charles McGonigal me Edi Ramën, angazhimi i tij me pagesë për të sharruar shtyllën kryesore të rendit demokratik, që është pluralizmi politik, për të shkatërruar opozitën për hir të pushtetit të Edi Ramës, është një krim i përmasave makabër.
Është një veprim i barabartë, me një grusht shteti, kur puçistët vendosin të shuajnë pluralizmin. Është një veprim i cili përveç aktit që bën ndaj vendit mik, përdor për të instaluar monizmin dhe fake opozitën në Shqipëri.”, tha Berisha.
Kreu i PD theksoi se McGonigal dhe Mark Rossini janë angazhuar haptas në veprimtari kriminale, antikushtetuese, për llogari të Edi Ramës.
"McGonigal është në një hetim të gjithanshëm në SHBA. U përket autoriteteve amerikane të qartësojnë gjer më një lidhjet e tij, agjenturore apo korruptive me Shestakovin, Fokin, del sot në skenë një tjetër, me Deripaskën dhe të tjerë. Por një gjë është e sigurtë, lidhjet e tij me Edi Ramën janë më të turpshmet në historinë e këtij vendi.
T'i lejojë vetes Shqipëria të korruptojë një qenie të dobët, që nuk duhej të ishte kurrë aty ku ishte ai dhe të mos njoftonte që në rastin e parë, partnerin dhe aleatin tonë strategjik, është bashkëpunim në një krim të shëmtuar kundër SHBA, Shqipërisë, NATO-s dhe kundër çdo vendi të lirë.
McGonigal dhe Mark Rossini, bashkëpunëtor dhe ortak i tij, janë angazhuar haptas në veprimtari kriminale, antikushtetuese, antishqiptare për llogari të Edi Ramës. Qëllimi i tyre ka qenë asgjësimi i opozitës shqiptare.
Nga viti 2014 rezulton se Mark Rossini, një person që unë kurrë nuk e kisha dëgjuar, bënte akuza ndaj meje si kukull e Putin dhe i përsëriste këto në vitin 2019 në televizionin e Ben Blushit dhe Edi Ramës. McGonigal nuk është dorëjashtë në çdo gjë që ka ndodhur për asgjësimin e opozitës shqiptare", u shpreh Berisha.