Shqiptarët nuk janë vetëm "Taken" por edhe Dua Lipa, Rama garanton Sunak: "Mollët e kalbura", objekti ynë i përbashkët

Gomonet më të rinj shqiptarë përmes La Manshit, sollën acarim të marrëdhënieve Tiranë-Londër për muaj me radhë.
Edi Rama hyri në 10 Downing Street, si i pari kryeminister shqiptar që kapërcen këtë dere në 30 vite me synimin për të përmirësuar këtë marrëdhënie.
Kryeministri britanik Rishi Sunak ia shprehu shqetësimin ballë për ballë.
“Vitin e kaluar kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë në këtë drejtim”.
Rama shprehu gadishmërinë për të bashkuar forcat për të luftuar fenonenin e klandestinëve dhe luftën ndaj grupeve kriminale, por theksoi që në këtë vorbull të përjashtohen personat e pafajshëm.
Mesazhin e përforcoi me shembuj konkretë.
"Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve. Në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se ashtu siç, jo të gjithë britanikët janë “James Bond” apo “Mr. Bean”, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken”.
Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu.
Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën sëbashku me ju.Faleminderit sërish e dua dhe t’ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Winston Churchill."
Kryeministri britanik vlerësoi progresin që është bërë në lidhje me ndëshkimin e emigrimit të jashtëligjshëm dhe u shpreh se përveç çështjes së emigrimit me homologun shqiptar do të diskutojë edhe për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike.
“Është kënaqësi e madhe t’ju uroj mirëseardhjen në Mbretërinë e Bashkuar, në Downing Street sot. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qartazi kanë tashmë një partneritet të fortë dhe presim me padurim të thellojme këtë marrëdhënie me ju sot. Por po kështu ka më shumë kjo marrëdhënia jonë për të folur, që është forcimi i bashkëpunimit tonë ekonomik, tregtisë, sigurisë, sidomos lufta kundër sulmeve armiqësore dhe kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria”.
Më herët në intervista për mediat britanike, dhe takimin me kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Rama shprehu keqardhje për gjuhën e politikës ndaj emigrantëve shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare tri ditore në Britani.

