Shqipëria si lavatriçe, rritet pastrimi i parave/ Dumani bën bilancin e SPAK-ut: 12 çështje të reja me burim të huaj

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka raportuar para Këshillit të Lartë të Prokurorisë ditën e sotme për veprimtarinë e organit që drejton gjatë vitit 2022.

Sipas tij, gjatë vitit që lamë pas, është parë që rastet e pastrimit të parave, kanë qenë në rritje, ndërsa po ashtu gjatë 2022 janë regjistruar 12 çështje të reja, të kallëzuara nga juridiksione të huaja.

“SPAK ka demonstruar se rastet për pastrim parash janë në rritje. Në 2022, 12 çështje të reja, çështje me burim kallëzimi nga juridiksione të huaja.

SPAK i ka kushtuar vëmendje të veçantë veprave penale në trafik narkotikësh apo terrorizmit. Janë rritur me 30% çështjet lidhur me korrupsionin. Po ashtu prokurorët u janë nënshtruar disa trajnimeve të rëndësishme”, u shpreh ai.

Shqipëria si lavatriçe, rritet pastrimi i parave/ Dumani bën

Nga ana tjetër ai ka renditur edhe disa nga problematikat që ka evidentuar gjatë periudhës që është në krye të SPAK, dhe që duhen zgjidhur sa më shpejt. Mes këtyre problematikave ai tha se qëndron ajo e mbartjes së një numri të konsiderueshëm të çështjeve nga vitet e shkuara si dhe mungesa e ambienteve për prokurorët, kryesisht për hetuesit e BKH-së.

Dumani tha se punojnë në një ambient shumë të kufizuar, dhe se kjo mund të bëjë që të prishen edhe prova hetimore që mund të kenë grumbulluar për një çështje të caktuar në hetim.

“Një problematikë ngelet situatave sa i takon çështjeve të mbartura, ka një numër të konsiderueshëm të çështjeve të mbartura nga vitet e tjera, dhe ky është problemi që prokurorët duhet të përballen dhe t’i japin zgjidhje. Realisht kjo është një problematikë. Në funksion të kësaj problematike, kam bërë takime me prokurorët duke evidentuar problematikën dhe për të parë mundësitë reale sesi mund të shkohet në përfundimin sa më shpejt të hetimeve, por jo në kurriz të cilësisë.

Mungesa e ambienteve dhe zyrave ku ne ushtrojmë funksionet është një tjetër problem, kemi një situatë alarmante. S’kemi zyra për prokurorë, sidomos për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kemi shumë prova në një mjedis shumë të kufizuar, rrezikojmë edhe t’i prishim ato”, tha ai.

EMISIONET