Shqipëria pret samitin e NATO-s/ Ferit Hoxha: Nisëm përgatitjet, do të jemi gati

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka folur për zhvillimet kryesore nga Samiti i NATO-s në Ankara, ku ishte i pranishëm së bashku me kryeministrin Edi Rama.
Hoxha u ndal te vendimi që Shqipëria të presë një nga samitet e ardhshme të Aleancës, si dhe te angazhimet e reja për rritjen e investimeve në mbrojtje.
Sipas tij, organizimi i samitit në Tiranë përbën një moment të rëndësishëm për vendin dhe një mundësi për të treguar kapacitetet e tij në një aktivitet me rëndësi ndërkombëtare.
“Është një moment i veçantë për aleancën dhe për Shqipërinë. Erdhëm në këtë samit me një pozicion të qartë dhe me një angazhim për rritjen e investimeve në mbrojtje”, u shpreh Hoxha.
Ai bëri me dije se përgatitjet për organizimin e samitit kanë nisur dhe është ngritur një grup pune i posaçëm që po ndjek procesin.
“Kemi ngritur një task-forcë, e cila ishte edhe në Ankara për të fituar eksperiencë dhe për të qenë sa më të përgatitur. Synojmë të jemi në nivelin e duhur për të pritur një event të tillë”, tha ministri.
Hoxha foli edhe për angazhimin e vendeve të NATO-s për rritjen e investimeve në mbrojtje, me synimin që deri në vitin 2030 aleatët të arrijnë objektivin e 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për këtë sektor.
Sipas tij, rritja e kapaciteteve mbrojtëse lidhet jo vetëm me kërcënimet tradicionale, por edhe me sfidat e reja si sulmet hibride dhe rreziqet që vijnë nga teknologjia.
Për datën e zhvillimit të samitit në Tiranë, Hoxha tha se diskutimet mes aleatëve vijojnë dhe mundësitë janë për vitin 2027 ose më pas, ndërsa Shqipëria do të jetë e gatshme për organizimin.
“Është një lajm i mirë dhe një angazhim madhor për këto vite. Është një mundësi për të treguar aftësitë tona për të pritur evente të tilla”, u shpreh ministri.


