Geely sfidon BYD, prezanton baterinë që karikohet me shpejtësi rekord për makinat elektrike

Geely sfidon BYD, prezanton baterinë që karikohet me shpejtësi

Kina po vazhdon garën për zhvillimin e teknologjive të reja për automjetet elektrike, ndërsa tani në qendër të vëmendjes është vendosur kompania Geely, e cila me teknologjinë e saj të re të baterive ka arritur të tejkalojë rivalin e madh BYD.

Sipas të dhënave të publikuara, marka e Geely-t, Lynk & Co, ka prezantuar baterinë e re 900V Energee Golden Brick, e cila ofron shpejtësi jashtëzakonisht të lartë karikimi.

Gjatë testimeve, bateria ka arritur fuqi maksimale karikimi prej rreth 1.100 kW, duke ruajtur edhe pas kalimit të nivelit 80 për qind një fuqi karikimi mbi 500 kW.

Kjo teknologji ka tejkaluar pretendimet e BYD, e cila më herët kishte prezantuar baterinë e saj "Blade" dhe sistemin e karikimit ultra të shpejtë me fuqi megavatësh, duke e cilësuar si një nga teknologjitë më të avancuara në prodhim masiv.

Sipas prodhuesit, bateria e re e Geely-t synon të reduktojë ndjeshëm kohën e pritjes gjatë karikimit të automjeteve elektrike, duke e afruar përvojën e përdoruesve me atë të furnizimit tradicional me karburant.

Zhvillimi i ri tregon se gara mes prodhuesve kinezë të makinave elektrike po bëhet gjithnjë e më intensive.

Kompanitë si Geely dhe BYD po investojnë miliarda në bateri më të fuqishme, më të shpejta në karikim dhe me autonomi më të madhe, në përpjekje për të dominuar tregun global të automjeteve elektrike. 

EMISIONET