Rritje pagash dhe pensionesh në fushatë, Celibashi: Nëse do ketë akt konkret nga Rama, atëherë do të shprehemi
Kryekomisioneri Zgjedhor Ilirjan Celibashi në kuadër të procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 majit në një konferencë të posaçme për shtyp është pyetur nga gazetarët edhe lidhur me deklaratat e djeshme të kryeministrit Edi Rama për rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe nisjen e shpërndarjes së bonusit të luftës për pensionistët e prekur nga kriza e çmimeve.
Celibashi: Nuk kam asgjë për të komentuar për sa kohë ato janë thjesht deklarata. Nëse do të ketë akt konkret për ta atëherë edhe ne do të mund të shprehemi nëse ky akt është ndërmarrë apo jo në shkelje të Kodit Zgjedhor. Një gjë mund të them dhe s’kam pse ta fsheh që në përgjithësi Kodi Zgjedhor ka ndalime për vendimmarrje të caktuara të institucioneve vetëm 4 muaj para zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re. janë disa ndalime që lidhen vetëm me rastet e zgjedhjeve të përgjithshme. Disa kufizime janë të qarta për rastet e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Në momentin që do të kemi aktin apo veprimtarinë publike do të vendosim. Kur të jetë momenti do të duhet që të disponojmë me vendimmarrjen në lidhje me atë proces që është anonçuar. Për deklaratën nuk mund të jap një përgjigje. Ne duhet ta respektojmë ligjin dhe kodin zgjedhor. Duhet të shohim si vendosim me ligjin dhe kodin zgjedhor.
Pse kodi ka parashikuar vetëm për rastin e zgjedhjeve parlamentare këtë nuk di që ta them. As deklarata e kryeministrit mbi Kodin zgjedhor nuk kam asnjë arsye për t’i komentuar. Nëse një gjë është e caktuar në ligj është ligj. Sa kohë që një rregullim është pjesë e ligjit do të jetë strikt.