Rama uron Henry Kissinger në 100-vjetorin e lindjes
Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm urimin e ditëlindjes për Henry Kissinger, një prej figurave më spikatura të politikës amerikane.
Rama publikoi në rrjetet sociale një foto të Henry Kissinger, teksa shkroi “Hapyy birthday Boss”.
“Mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë” – Henry Kissinger, sot plot 100 vjeç”, u shpreh Rama.
Kissinger ka qenë Sekretar Shteti dhe mbetet një nga studiuesit më të njohur për çështjet globale dhe sigurinë në botë.
Henri Kisingeri gjatë Luftës së Dytë Botërore, shërbeu në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe më pas, për njëzet vjet, dha leksione për historinë dhe qeverisjen në Universitetin e Harvardit.
Ai shërbeu si këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe pastaj Sekretar i Shtetit në kohën e Riçard Niksonit dhe Xherald Fordit, si dhe ka këshilluar mbi politikën e jashtme shumë presidentë të tjerë amerikanë.
Në vitin 1973, atij iu dha Çmimi Nobel për Paqen dhe mes të tjerash edhe Medalja Presidenciale e Lirisë dhe Medalja e Lirisë.
Ai është autor i shumë librave dhe artikujve mbi politikën e jashtme dhe diplomacinë, ndërsa aktualisht është Kryetar i Kissinger Associates, Inc., një firmë konsultimi ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në SHBA, në fund të vitit 2021, zhvilloi një takim me Henry Kissinger.