Rama për takimin me banorët e Zvërnecit: Takova njerëz që u fyen dhe u m*sakruan nga “flamingot online”

Kryeministri Edi Rama foli për takimin që pati me banorët e Zvërnecit, pas protestave për kundërshtimin e projektit. Gjatë fjalës së tij në podkastin "Flasim", Rama tha se banorët kanë shprehur shqetësime konkrete lidhur me çështje të pronësisë dhe zhvillimit lokal, por nuk kanë kundërshtuar idenë e investimit. Sipas Kryeministrit, banorë kërkojnë zhvillim dhe jo ndalimin e projektit. 

Rama kritikoi gjithashtu reagimet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, duke pretenduar se pjesëmarrësit në takim janë paraqitur si persona të mbledhur me zor. Sipas Ramës, në takim morën pjesë banorë dhe individë që jetojnë, punojnë dhe kanë interesa në zonën ku parashikohet të zhvillohet investimi. 

"Këtë javë shkova dhe takova banorët e zonës së Zvërnecit, në një takim që, për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, është i postuar në faqen time. Vlen shumë më tepër se çdo ulërimë, çdo zhurmë, çdo kuje, çdo shqetësim, manipulim, falsifikim apo spekulim nga çorba e ditëve të fundit.

Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga flamingot online si njerëz të mbledhur me zor, si njerëz të mbledhur kokërr më kokërr, si njerëz që nuk përfaqësonin komunitetin etj., ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Ajo zonë nuk është një zonë e mbipopulluar. Ajo është një zonë ku ata njerëz që kanë interesa aty, që punojnë aty, që i pretendojnë pronat e tyre aty, madje aty ku do të zhvillohet projekti, që mbajnë familjet e tyre nga aktivitetet e vogla aty, nga shërbimet dhe nga puna e përditshme aty, janë ata.

Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay?

Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay?

Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: “Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë”, tha Rama. 

EMISIONET