Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama: Takimi me kancelarin gjerman ishte provë që vlerësimi për Shqipërinë është maksimal

“Kjo javë ishte e rëndësishme edhe për Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në Tivat. Në Tivat nuk kisha shkuar asnjëherë. U detyrova të shkoj se s’kisha për të shkuar pa bërë më parë portin turistik të Durrësit. Kështu e kisha ndarë në mendjen time. Një fiksim i palogjikshëm, por nganjëherë, siç tregojnë edhe këto rrëmujat e ditëve të fundit, logjika nuk është ajo që vendos gjithmonë. Vendosin edhe emocionet, vendos edhe, në një farë mënyre, budallallëku i njeriut dhe ishte një lloj budallallëku imi, për hir të së vërtetës, por ishte emocional që nuk doja të shkoja në Tivat, sepse nuk doja të shikoja Porto Montenegro-n. Nuk doja ta shikoja Porto Montenegro-n, sepse Porto Montenegro është një top që i ka kaluar për shalësh Shqipërisë dhe ka përfunduar në Mal të Zi, dhe historia e Malit të Zi është përcaktuar nga Porto Montenegro si një histori e një vendi turistik që nuk ka bujqësi, nuk ka fabrika, nuk ka prodhime të tjera, por ka një bukuri që e ka vënë në dispozicion të ekonomisë përmes investimeve të ekselencës.

Dhe ai që e ëndërroi dhe që e konceptoi Porto Montenegro-n, më parë se të shkonte atje si një top i shtyrë nga uji përmes shalëve që ishin të hapura thjesht dhe vetëm për të marrë përfitime babëzie duke e përdorur Shqipërinë si pronë, donte ta bënte në Durrës. Donte ta bënte në Durrës. Kishte bindjen që një port turistik pranë amfiteatrit më të madh që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës do të ishte një histori e jashtëzakonshme suksesi, gjë që do ta tregojë natyrisht historia e re, por shumë e vonuar, jo për fajin tim dhe tonin, e projektit të portit turistik të Durrësit.

Dhe u prit me sytë te xhepi dhe iu kërkua “xhixha”, kështu që iku në Mal të Zi, e ndërtoi Porto Montenegro-n dhe Tivati, nga një gji me rreth 10.000 banorë që ishte i vetmi gji që nuk frekuentohej nga turistët, sepse ishte një bazë ushtarake e Jugosllavisë me ujë të ndotur e kështu me radhë, u kthye në motorin më të madh ekonomik të Malit të Zi. Dhe Mali i Zi, që nga ai moment, pa shumë hajër sepse pasuan investime të tjera. One&Only, hoteli One&Only në Europë, është ndërtuar vetëm në Mal të Zi. Do të ishin në Shqipëri të gjitha këto, sikur ata që mos qofshin, domethënë, të mos i kishin lënë të kalonin kështu këto topa dhe sikur të kishin menduar për Shqipërinë dhe për të gjitha këto tema që flasim sot. 

Gjithsesi, në Tivat unë shkova, nuk kisha çfarë bëja. Dhe më vjen shumë mirë të them që samiti ka qenë një samit mbase më interesanti nga pikëpamja e përgjithshme e shtyrjes së disa gjërave dhe e shtyrjes së çështjes së përshpejtimit të zgjerimit. Ama, një gjë është pak a shumë e sigurt: Shqipëria u vlerësua si një vend që është pranë anëtarësimit. Shqipëria u vlerësua për të gjitha ato që ka bërë dhe si një vend që është pranë. Ndërkohë që zëri ynë u dëgjua qartësisht përsëri. Unë i ngrita të gjitha ato për të cilat kam kohë që përpiqem edhe brenda atij rrethi, sepse një gjë e kemi arritur. Në atë rreth nuk ka më “kush jam unë e kush je ti”, siç ka qenë dikur.

Të gjithë i dëgjojmë me respekt dhe na dëgjojnë me respekt. Dhe unë kam shumë shpresë që do të kemi lajme shumë të mira shumë shpejt përsëri në atë aspekt dhe jam edhe më i bindur sot seç isha përpara këtij samiti, që ne do ta arrijmë atë që duam të arrijmë. Do ta arrijmë atë që duam të arrijmë. Dhe takimi me kancelarin Merz ishte provë absolute e faktit që vlerësimi është maksimal, mbështetja është maksimale dhe vetëm puna, puna, puna është ajo që nuk na e bëjnë dot as gjermanët, as italianët, as francezët, por duhet ta bëjmë vetë. Kështu që të gjithë në punë, secili në punën e vet. Faleminderit shumë," tha Rama.

EMISIONET