Rama në italisht: Italia avokatja jonë më e besuar në BE, edhe përkthyesit do të paguhen edhe pa përkthyer asgjë
Italia dhe Shqipëria kanë të njëjtin qëndrim për gjithçka, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët shtypi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtë italian, Antonio Tajani.
”Jemi të kënaqur që Italia është avokatja jonë më e besuar edhe në nivel evropian, zëri më i fortë në Bruksel në mbështetje të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane”, deklaroi Rama.
”Jemi të lumtur që kjo qeveri ka marrë zotimin e veçantë për të kaluar nga shumë premtime në fakte ekonomike, në politikë të përbashkët, në siguri e kështu me radhë”, shtoi Rama.
“Nuk ndodh gjithmonë që të shkoni në një një vend tjetër me një delegacion kaq të madh dhe pa pasur nevojë për kufjet e përkthimit. Këtë do ta vlerësonin edhe përkthyesit, të cilët do të paguhen edhe pa përkthyer asgjë. Jam i sigurt që edhe Farnesina do të paguajë njësoj…”, tha me shaka Rama duke folur në italisht.
Rama dha një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani, pas takimit të dytë në nivel politik të Komitetit të Përbashkët Ekonomik (KPE) Itali-Shqipëri.
Rama nënvizoi se gjuha italiane nuk është është vetëm gjuha e dytë për shqiptarët, por edhe një “gjuhë politike në nivel dypalësh dhe ndërkombëtar”.