“Rama-McGonigal” bashkon PD-në, Boçi-Vokshi dorëzojnë në Kuvend kërkesën për Komision Hetimor
NënKryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi dhe deputetja demokrate Albana Vokshi dorëzojnë në Kuvend kërkesën për Komision Hetimor për çështjen McGonigal.
Deputetët e opozitës mblodhën të enjten më shumë se 35 firma të nevoijshme për të ngritur një komision hetimor që do të verifikojë kontaktet dhe marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me ish agjentin special të FBI-së, Charles Mcgonigal.
“Kemi firmosur 45 deputetë për të ngritur komisionin hetimor që të nxjerrim Ramën nga vrima e kamares.
Jo vetëm komisioni do e nxjerr nga kamaria, por dhe protesta e 11 shkurtit. Rregullorja e përcakton qartë se kur ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e komisionit, është detyrim që të ngrihet.
Rama ka harxhuar taksat e shqiptarëve, 20 mln euro, por ai nuk pranoi të vijë në komision. S’do shpëtojë kësaj radhe. Ai do vijë në Komision Hetimor si ‘çeço’ dhe do përgjigjet. Ky komision do marrë detajet dhe do kërkojë të gjitha takimet e Ramës dhe skandalin e tij për të korruptuar institucionet e qeverisë amerikane, me qëllim goditjen e sistemit të pluralizimit në Shqipëri, dhe opozitës. Gjithçka do kthehet në bumerang”, tha Boçi.
Sipas demokratëve Komisioni hetimor do të verifikojë edhe “nxitjen, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, rryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare”.
Në listën e firmatërve të kësaj kërese bie në sy fakti që përveç deputetëve të PD-së kanë firmosur edhe deputetë të grupit të Alibeajt si: Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja dhe Andia Ulliri. Por ai që nuk ka firmosur është vetë kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj.