Rama i përgjigjet akuzave të opozitës: Boshllëk idesh, pasoja e puthjes fatale me një të vdekur
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj akuzave të opozitës për lidhjet e tij me ish- zyrtarit të FBI, Charles McGonigal.
Në rrjetin social twitter, Rama thotë se boshllëkun e ideve e mbush me të pavërteta.
Rama: Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!
Asnjëherë asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme! Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur.
Çështja "McGonigal" ka bërë bashkë grupimet në Partinë Demokratike, edhe pse Berisha e Alibeaj janë të ndarë në regjistrimin për garën në zgjedhjet vendore.
Në selinë e Kryesisë së Kuvendit u paraqit kërkesa me 43 firma për të ngritur komisionin hetimor për kryeministrin Rama mbi marrëdhëniet me ish-zyrtarin e lartë të FBI tashmë në akuzë.