Rama: Hipoteka është trajtuar si zonë interesash, një qytetar nuk e ka të lehtë që të marrë certifikatën e pronësisë

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, në ndalesën e zhvilluar në kryeqytet në kuadër të turit të falënderimeve pas fitores së zgjedhjeve vendore të 14 majit, vuri theksin te Kadastra, duke e evidentuar si një institucion ku ka ende vështirësi që qytetari të gjejë zgjidhje të hallit të tij.
“Jemi një vend, që akoma nuk ka një stabilitet në çështjen e pronës dhe këtu nuk flas për probleme dhe konflikte të pronësisë. Këtu flas për faktin që sot një shqiptar i zakonshëm akoma nuk e ka të lehtë 100 % që të marrë nga hipoteka certifikatën e pronësisë, që e ka atje, që ta nxjerrë se i duhet. Nuk e ka. Mund ta marrin, mund edhe mos ta marrin”, tha Rama.
Për Ramën, Hipoteka është trajtuar si një vend ku të fuqishmit e kësaj partie punësojnë njerëz.
“Gjykata ndan konflikte apo gjykata ndan fajësi, por përtej gjykatave ka dhe një drejtësi tjetër që është të qenit i drejtë i shtetit, i një institucioni me qytetarin që nuk përbën vepër penale apo vepër administrative të gabuar por përbën një padrejtësi dhe ne nuk mund të jemi dot krenarë as me çfarë bëhet në nivelin e drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që është histori më vete por sidoqoftë po bëhen gjëra që nuk janë bërë kurrë në këtë vend, sepse kurrë deri më sot dhe ne këtë duhet ta kemi shumë të qartë dhe nuk duhet të kemi asnjë ngurrim t’ia bëjmë shumë të qartë të gjithëve, që nga koha kur është përmendur emri Shqipëri dhe kur është konstituuar shteti i parë shqiptar, nuk ka ndodhur që një person i lidhur me pushtetin dhe madje në nivele të larta, të shkojë e të përfundojë në duart e drejtësisë? Kjo ndodh vetëm sot dhe ndodh vetëm falë reformës që ka udhëhequr Partia Socialiste dhe që mbështesim ne, por kjo është njëra anë, ana tjetër është, cilën drejtësi bëjmë ne në të përditshmen tonë në dyert e Kadastrës?”, shtoi Rama.
Kryeministri Rama shtoi se, ka shumë njerëz që i kanë besuar votën PS, por që nuk trajtohen si njerëz tek Kadastra.
“Kemi marrë shumicën në këshillat bashkiakë në Tropojë, në Kamëz, në Shkodër. Tani si mund të shkojmë ne dhe të flemë të qetë apo si mund t’i gëzohemi ne kësaj fitoreje pa e menduar faktin që pjesa më e madhe e atyre njerëzve që na kanë votuar ne, akoma sot nuk trajtohen si njerëz nga Kadastra dhe një nga arsyet kryesore, në mos kryesorja e mos trajtimit të tyre si njerëz është sepse kush ka pasur dy lekë pushtet në këtë parti, e ka parë hipotekën si një zonë interesash të veta”, tha Rama.
“Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë secili nga ju e di, të gjithë ne e dimë, është mirë ta themi me zë të lartë, ta dëgjojnë dhe gjithë të tjerët të na vijë turp nga kjo gjë, seriozisht të na vijë turp dhe kush ka dorë në këtë turp, duhet të heqë dorë dhe ajo agjenci duhet të bëhet bankë. Ashtu siç nuk bën vaki që t’i shkojë mendja njeriu që ta përdorë pushtetin për t’i thënë bankës së shtetit se çfarë duhet të bëjë, ose për të bërë lodra me kursin e këmbimit të bankës së shtetit, ashtu s’duhet t’i shkojë mendja njeriu që të merret me pronat e shqiptarëve dhe me titujt e pronësisë të familjeve shqiptare, sepse kjo është kulminante”, shtoi Rama.
Kryeministri shtoi se, duhet pasur kujdes se harta e rezultatit elektoral, pa punën e duhur mund të ndryshojë.
“Ne kemi mundësi që pas dy vitesh këtë pritshmëri të madhe, të mos e kemi humbur dhe të shohim atë hartën që pa pritur e pa kujtuar të ndryshojë, por të shohim se si ajo mund të ndryshojë akoma më shumë për ne dhe kjo s’ka të bëjë fare me fundin e demokracisë apo s’ka të bëjë fare me vdekjen e pluralizmit, se ja ku është Greqia këtu, nuk besoj se aty vdiq pluralizmi kur harta u bë e gjitha blu. Nuk ndodh shpesh atje, ndodhi këtë herë. Pra nuk ka të bëjë kjo, nuk ka parti serioze që kur futet në zgjedhje, nuk shkon për t’i fituar të gjitha dhe po ju them dhe e kam thënë që ditën e parë që kam ardhur në këtë parti, se kam dëshmitarë, ja Fatmiri është këtu, nuk e di kush tjetër tani, Petro besoj mund ta ketë dëgjuar, Shalsi mbase, Mimi ndoshta, por e kam thënë; Partia Socialiste nëse është e mirë organizuar, nuk humbet në asnjë qendër votimi në Republikën e Shqipërisë. Unë e kam bindje këtë”.
“S’jemi më të mirët, me siguri ka shumë më të mirë se ne, por deri tani rreth e rrotull s’kemi parë. Do shohim më vonë, nuk e di. Unë ju ftoj juve në gjeneratën e re këtu të Rakipit edhe të Lalit, që të punojnë e të mos shikojnë. Kjo është ftesa që i bëj unë gjeneratës së re, por ajo që ju them është që duhet që rezultatin e këtyre zgjedhjeve s’duhet ta harroni, por jo s’duhet ta harroni për kënaqësi. Kënaqësia, ja e dinë këta, unë isha atje, më ka zgjatur shumë pak, pastaj nuk gëzohesha dot më, sepse është shumë e madhe ajo që na kanë dhënë njerëzit, është shumë. Më besoni, është shumë dhe ju e dini shumë mirë, që kur një njeri të jep një borxh shumë të madh, nuk të ndahet, se ka frikë se mos i ikën. Ka frikë se mos harron, ka frikë se mos i shmangesh, se një borxh i vogël, thotë: i dhashë, t’i kam falur. Po ku falet kjo? A jeni në vete a jo? Ku falet kjo? Nuk falet kjo, kështu që mos e bëni veten që të mos na e falin”, përfundoi Rama.






