"Rama falimentoi bashkitë”, Meta nga Durrësi: Ka frikë opozitën, i thotë qytetarëve mos votoni
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka falimentuar bashkitë e vendit. Gjatë një takimi me shtabin elektoral në Durrës, Meta u shpreh se deklaratat e Kryeministrit ku i thotë qytetarëve të mos votojnë, vijnë nga frika që ai ka ndaj opozitës.
Për kryetarin e Partisë së Lirisë, deklaratat e Edi Ramës se nuk do të bashkëpunojë me kryebashkiakët fitues nga koalicioni Bashkë Fitojmë tregojnë frikën e humbjes më 14 maj.
"Fakti që ai thotë që po votuat ju për këta që nuk dua unë tregon qartë se ai e ndjen humbjen dhe në këtë mnënyrë ai vetëm e thellon këtë gjë sepse qytetarët shqiptarë nuk kanë më çfarë të humbasin".
Ilir Meta gjatë një takimi me shtabin elektoral në Durrës akuzoi Ramën dhe kryebashkiakët socialistë se kanë falimentuar bashkitë e vendit.
"Falimentoi bashkinë e Kavajës, Vorën, kaloi në prag falimentimi mbi 10 bashki të tjera. Edhe nëse ka dhënë ndonjë lek për ndonjë bashki, i ka dhënë që ti firmosin këta fët e fët".
Me Igli Carën kandidat të gjithë opozitës, Ilir Meta shprehu bindjen e fitores përballë asaj që e cilësoi model të betonit kriminal.
"Qytetarët do i tregojnë Kryeministrit se ky popull nuk mund të bullizohet nga një i marrë që është dehur me pushtet apo nga overdozat që kalon herë pas here".