“Qeveria u kthye në agjenci biletash”/ Kikia: Ministrat dhe ambasadorët në shërbim të promovimit të koncertit privat

Përfshirja e institucioneve shtetërore në promovimin e një koncerti privat ishte në qendër të diskutimit në emisionin “Drejt” në Ora News.

I ftuar në studio, gazetari Mentor Kikia ngriti pikëpyetje mbi angazhimin e qeverisë, duke e cilësuar të pazakontë mobilizimin e ministrave, deputetëve dhe përfaqësuesve diplomatikë për një aktivitet të organizuar nga një kompani private.

Sipas Kikisë, nuk ka precedent që kabineti qeveritar, grupi parlamentar dhe ambasadorët shqiptarë jashtë vendit të përfshihen në promovimin dhe shitjen e biletave të një koncerti.

"Po ky është biznes privat. Ç'punë ka qeveria të shesë biletat e një kompanie private? I gjithë ky angazhim është absolutisht i pajustifikuar. Në Shqipëri kanë ardhur grupe shumë më të famshme, si Scorpions, organizuan koncertet e tyre dhe askush nuk i kompensoi kur dolën me humbje."-tha ai.

Ai vlerësoi se ky organizim është kthyer në një angazhim të vetë qeverisë, duke shtuar se promovimi i një eventi privat nuk është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, por e organizatorëve.

Kikia solli në vëmendje edhe rolin e Ministrisë së Kulturës, duke e konsideruar të pazakontë publikimin e udhëzimeve për transportin e pjesëmarrësve në koncert.

"Duke qenë se vetë qeveria ishte përfshirë në organizim dhe promovim, Ministri i Kulturës publikonte edhe këshilla se me cilin autobus duhet të shkonin qytetarët në koncert. Këto janë detyra të organizatorit, jo të një ministri."-tha Kikia.

Ai kërkoi më shumë transparencë për përfshirjen e institucioneve publike në një aktivitet privat dhe për çdo ndikim që ky organizim mund të ketë pasur mbi fondet apo burimet shtetërore.

 

EMISIONET