Protesta në ditën e 40-të/ Vjerdha: Protesta ka tejkaluar pritshmëritë, qytetarët kërkojnë një model të ri qeverisjeje

Protesta në ditën e 40-të/ Vjerdha: Protesta ka tejkaluar

Qytetarët kanë tejkaluar çdo pritshmëri me qëndresën dhe pjesëmarrjen e tyre në protestën që po zhvillohet prej 40 ditësh në Tiranë. Kështu u shpreh në një intervistë për “Ora News” aktivisti dhe përfaqësuesi i organizatës “Qëndresa Qytetare”, Kolindo Vjerdha, i cili e cilësoi protestën si historike si për kohëzgjatjen, ashtu edhe për masivitetin.

Sipas Vjerdhës, protesta është ndërtuar nga qytetarët dhe jo nga partitë politike, çka sipas tij i jep një peshë të veçantë lëvizjes. Ai theksoi se pjesëmarrësit kanë artikuluar kërkesa të qarta, ndërsa në qendër të tyre mbetet dorëheqja e qeverisë dhe nevoja për një model të ri politik, ku qytetari të ketë rol vendimmarrës.

Aktivisti argumentoi se protesta është produkt i një pakënaqësie të akumuluar ndër vite dhe se përfaqëson reagimin e qytetarëve ndaj mënyrës së qeverisjes dhe problemeve që, sipas tij, kanë shoqëruar tranzicionin.

Ai shtoi se të rinjtë dhe grupet qytetare po kërkojnë një ndryshim të kulturës politike dhe një qeverisje më pranë interesave të qytetarëve.

Në vijim të intervistës, Vjerdha u shpreh se protesta ka kaluar çdo parashikim, duke kujtuar se deri pak kohë më parë kishte dyshime mbi aftësinë e qytetarëve shqiptarë për t'u organizuar.

Sipas tij, reagimi erdhi në momentin kur shumë qytetarë u ndjenë të papërfaqësuar dhe të pafuqishëm përballë vendimmarrjes, ndërsa përmendi rastin e Zvërnecit si një nga ngjarjet që, sipas tij, intensifikoi pakënaqësinë publike për shkak të mungesës së transparencës.

Në përmbyllje, përfaqësuesi i “Qëndresa Qytetare” deklaroi se ekziston një shkëputje mes institucioneve dhe qytetarëve, duke argumentuar se problemet si emigrimi, kostoja e lartë e jetesës, punësimi dhe shërbimet shëndetësore kërkojnë më shumë vëmendje.

Sipas tij, protesta synon të rikthejë qytetarin në qendër të vendimmarrjes politike dhe të nxisë ndryshime në mënyrën e qeverisjes.

Kolindo Vjerdha: Unë do e  cilësoja një protestë historike për qëndrueshmërinë që ajo ka patur që nga dita e parë, po flasim sot jemi në ditën e 40 ku qytetarët çdo ditë dalin në në shesh. Historike nga ana tjetër për masivitetin që ajo ka ndërtuar, kemi parë protestën më të madhe të mbajtur ndonjëherë, e cila pikërisht ka ardhur nga qytetarët e organizuar, nga qytetarët, jo nga partitë politike, gjë e cila e bën edhe më historike në në kuptimin e saj. Ajo çka unë mendoj është fakti se sot ajo çka ne shohim janë qytetarë të cilët kanë kërkesa të qarta, kanë një akumulim të një mllefi i cili ka qenë i vazhdueshëm ndoshta dhe i akumuluar nga protestat e kaluara por që ka ardhur në pikën ku sot qytetarët po e ekspozojnë këtë përballë kësaj qeverie.

Aq më tepër pastaj nga ana tjetër ne po shohim që kjo protestë në të gjithë këtë hark kohor 40 ditor ka arritur që të vendosë edhe disa baza të forta të kërkesave të cilat janë tashmë të artikuluara përballë që kryesohen me dorëheqjen e e kryeministrit Rama, pra me dorëheqjen e kësaj qeverie, dhe vazhdojnë më pas me disa pika të cilat janë artikuluar por që unë mendoj që përbashkuesja kryesore e të gjithë atyre grupeve të decentralizuara mund të them brenda brenda këtij sheshi, përbashkohen pikërisht tek dorëheqja e kësaj qeverie si një moment kthese ndaj një modeli politik të vjetër ku personifikohet nga figurat e vjetra të mbetura akoma në politikë, Rama dhe Berisha.

Dhe pa dyshim deklaratat që ne dëgjojmë nga sheshi, thirrjet që ne dëgjojmë nga sheshi, janë pikërisht deklarata pozicionimi të të rinjve, të një grupi të madh qytetarësh të cilët sot duan të kalojnë në një model të ri qeverisës, ndryshe nga ajo çka ato kanë përjetuar dhe kanë parë nëpërmjet arrogancës, nëpërmjet mënyrës së të bërit qeveri duke mos menduar për popullin, nëpërmjet atyre çka kanë parë, afera korruptive të qeverive të të gjithë këtij tranzicioni të stërgjatur i cili ka kaluar mund të themi Shqipëria, dhe duan që të ketë një pikë përfundimtare të kësaj dhe të kalojmë në një model të ri politik ku qytetari është më afër politikës dhe qytetari është përcaktues i agjendës politike dhe jo anasjelltas.

Unë mendoj që ka kaluar çfarëdo lloj pritshmërie. Aq më tepër pastaj, erdhi në një moment kun ë shumë media ishte diskutimi kryesor ishte: ku janë shqiptarët? Pse nuk po reagojnë? Kjo e ardhur edhe qoftë nga protestat në rajon, që ne po shikonim se si qytetarët në shtetet fqinje po reagonin, po ngriheshin në protesta për ndryshime edhe atje të natyrave të ndryshme, por kryesorja përballë qeverive respektive, dhe gjithmonë po drejtohej gishti edhe më shumë ndaj shqiptarit. Nëse shqiptari nuk arrinte të reagonte, a ishte i vrarë ai nervi i reagimit qytetar?

Dhe unë mendoj se erdhi në momentin e duhur. Kjo përgjigje nga ana e qytetarëve, e cila tregoi një shkëputje totale të gjithë klasës politike, e cila u mundua ta organizonte qytetarin dhe ta nxirrte në shesh, por ai zgjodhi që të dilte në një moment kur e pa veten si një qytetar i pafuqishëm përballë arrogancës qeveritare, e cila erdhi specifikisht dhe u amplifikua në rastin e Zvërnecit. Rasti i Zvërnecit është i të njëjtës natyrë me shumë investime të tjera të cilat janë kryer, është i të njëjtës natyrë me shumë afera të tjera të cilat kanë kaluar, ku kryefjalën e kanë tek mungesa e transparencës.

Pra qytetari ndihet i pa informuar përballë qeverisë që ka, ndihet i pafuqishëm në vendimmarrje dhe kemi një kryeministër që përcakton rrjedhën e të gjithë qeverisë, pra është një individ që përcakton rrjedhën e ekzekutivit, por përcakton edhe rrjedhën e parlamentit.

Këto pushtete tashmë janë shkëputur tërësisht nga qytetari dhe mendoj që sot, po ta shohim dhe po ta analizojmë kryeministri Rama është pjesë e asaj sindromës së oborrit, pra i shkëputur tërësisht nga qytetari, nevojat klasike të cilët qytetarët kanë dhe kjo është diçka e njohur, është parë dhe është analizuar në gjithë rrjedhën historike dhe të shteteve të tjera. Një pushtet kaq i stërzgjatur i qeverisë Rama, aq më tepër pastaj që ne sot këtë qeveri e kemi edhe në pushtetin qëndror edhe në pushtetin vendor.

Unë mendoj se ka arritur në atë kulm ku qeveria sot nuk njeh problemin e qytetarit, qeveria sot nuk përfaqëson qytetarin dhe edhe deputetët të cilët sot janë në parlament janë të shkëputur nga realiteti i atij qytetari i cili sot vuan emigrimin, vuan kostot e larta të jetesës, vuan mungesën e mundësive të punësimit, vuan mundësitë reale të marrjes së një sistemi shëndetësor i cili i shërben atij dhe jo ai të gjendet.

EMISIONET