Pyetjet që “do ndezin” Kuvendin/ A do “rrëfehet” Rama sot për mikun e tij McGonigal? PD me dy kërkesa
Kryeministri Edi Rama është thirrur këtë të enjte për të dëshmuar para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë mbi lidhjet e tij me mikun dhe ish-zyrtarin e lartë të arrestuar tashmë të FBI-së Charles McGonigal, i cili akuzohet se ka marrë para ruse, ndërsa përflitet për takime të fshehta me kryeministrin Edi Rama kundrejt pagesave prej qindra mijëra eurosh.
Edhe për këtë çështje demokratët janë shfaqur të ndarë, ku fillimisht ishte grupi i deputetëve të rreshtuar në krah të Enkelejd Alibeajt , të cilët më 28 janar kërkuan interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për të dhënë shpjegime për skandalin McGonigal.
Ndërkaq ndryshe janë shfaqur grupi tjetër i demokratëve të udhëhequr Sali Berisha të cilët i dorëzuan një ditë më parë kërkesën Kuvendit për ndryshimin e rendit të ditës të seancës së sotme, duke kërkuar mocion me debat pa limit kohor.
Përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, deputetët kërkuan që në seancën e sotme të kenë kohë pa limit për të diskutuar për çështjen “McGonigal” dhe përfshirjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në aktakuzën amerikane.
E ndërkohë që kjo situatë pritet të shkaktojë dhe nervozizëm në sallë për shkak të mungesës së Sali Berishës të përjashtuar një javë më parë nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla pas kaosit që përfshiu Kuvendin, socialistët kanë menduar dhe për mbrojtjen e kryetarit të tyre.
Nëse do ketë bllokim të foltores nga demokratët dhe tensione në sallë, deputetët e PS-së janë udhëzuar nga Taulant Balla që të kalojnë tek miratimi i projektligjeve dhe projetvendimeve të përcaktuara në rendin e ditës dhe të braktisin sallën e seancave plenare.
Sa i përket "rrëfimit" të tij, kryeministrit Edi Rama do t’i duhet t’i përgjigjet dhjetëra pyetjeve të parashtruara nga demokratët:
Kush janë personat, të cilët kanë qenë në katër takimet, e cituara në akt-padi?
Çfarë është diskutuar gjatë këtyre takimeve?
Si e takoi Kryeministri, zyrtarin e lartë të FBI-së, si një person privat që kishte ardhur jashtë funksionit apo si një person i dërguar nga FBI?
Nëse e ka takuar si person privat, përse ka diskutuar me të çështje që lidhen me koncesionet e naftës?
A ka qenë pjesë e këtyre bisedimeve sulmi i stisur ndaj Partisë Demokratike për financime ruse?
Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin, agjentit të FBI-së i janë paguar 225.000 dollarë?
Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin, agjenti i FBI-së inicion hetimin penal për lobistin amerikan të Partisë Demokratike?
A mundet Kryeministri të provojë se Agron Neza nuk ka vepruar i porositur prej tij, kur ka deklaruar se kishte informacion mbi lobistin e Partisë Demokratike, të marrë nga zyra e Kryeministrit shqiptar?
Kush janë funksionarët e zyrës së Kryeministrit që kanë dërguar të dhëna dhe informacione për fillimin e kësaj cështjeje penale?
Cili ishte burimi i drejtuesve të Partisë Socialiste që flisnin për një cështje penale ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike, ndërkohë që cështja ishte nën hetim dhe mbulohej nga sekreti hetimor?
Çfarë natyre kanë pasur marrëdhëniet e Kryeministrit me Z. Dorian Duçka?
Cila është arsyeja që ky shtetas është pajisur me pasaportë diplomatike dhe me një email qeveritar, në një kohë që ishte i angazhuar në një aktivitet privat?
Pse qeveria shqiptare ka shkelur ligjin për t’i dhënë koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse një kompanie të lidhur me Z. Neza dhe Z. McGonigal?
Pse qeveria shqiptare i ka dhënë koncesione dhe statusin e investitorit strategjik oligarkut rus, Oleg Deripaska, pas vendosjes nën sanksione amerikane?