Berisha: Largimi i Edi Ramës me të gjitha mjetet, përfshirë mosbindjen civile është sot misioni

Kreu i PD pas mbledhjes me drejtues politikë dhe drejtues të qarqeve në seli tha se kryeministri Edi Rama është e keqja e këtij vendi dhe duhet të largohet një orë e më parë nga qeverisja.

"Të largojmë me çdo kusht nga pushteti, këtë demon të pushtetit i cili për të shkatërruar pluralizmin dhe konsoliduar karrigen e tij nuk ndalet para asnjë akti. Nuk njeh asnjë kufi, nuk njeh asnjë normë morale, asnjë standard, ligj, kombëtar apo ndërkombëtar.

Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë, përndryshe, qytetarët shqiptarë do ta hedhin në Lanë, përndryshe, qytetarët shqiptarë do të rivendosin reputacionin, dinjitetin, moralin e tyre. Kurrë ndonjëherë që nga koha e Enver Hoxhës, dinjiteti i këtij kombi, këtij vendi nuk është poshtëruar në këtë mënyrë.

Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është se ky akt korruptiv u ndërmorr me qëllimin e vetëm për shkatërrimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

Demokraci pa pluralizëm nuk ka, pa opozitë nuk ka, dhe faktikisht me para droge dhe para të tjera, ky përpiqet në të gjitha mënyrat për të konsoliduar monizmin e tij.

Largimi i Edi Ramës me të gjitha mjetet demokratike, përfshirë mosbindjen civile është sot misioni i të gjitha misioneve të qytetarëve shqiptarë, të popullit opozitar.

Ndaj dhe thirrja jonë për çdo shqiptar në Shqipëri, në çdo vend që ndodhet në Europë dhe SHBA, të bashkohemi për të mbrojtur, nderin, dinjitetin dhe të ardhmen e kombit, të bashkohemi për të larguar këtë demon pushteti që i futi një thikë në zemër marrëdhënieve me partnerin më kryesor strategjik, me vendin i cili ka kontribuar më shumë se çdo vend tjetër në lirinë e shqiptarëve.

Nuk ka shërbim më të keq që mund ti bëjë kombit shqiptar nga një person, përveç se ta bënte për llogari të Rusisë, por rusët ishin vetë në këtë aferë dhe ai e bëri për llogari të karriges së tij.

Unë kam besim të madh se me 11 shkurt, Shqipëria, i madh e i vogël do të vërshojë drejt Tiranës në betejën e fitores, e përmbysjes së Edi Ramës. Tirana e tëra do të derdhet në rrugë, në shesh për të larguar nga pushteti një uzurpator, për të larguar nga pushteti një kryeministër i cili me qëndrimet e tij është sot, njeriu më i damkosur në të gjithë botën e lirë.

Njeriu që ka kryer akte ndaj SHBA-së, sikur Shqipëria të ishte një vend në armiqësi me atë vend. Ka kryer akte sikur Edi Rama të ishte agjent i një prej fuqive armike të SHBA-së.

Shqiptarët me 11 shkurt do të thonë fjalën e tyre", deklaroi kryedemokrati Berisha.

EMISIONET