PËRPLASJE PËR TERRITORIALEN/ Balla: Hasi nuk preket, Berisha: Do të shkrihen mbi 20 bashki
Reforma Administrativo-Territoriale u kthye në qendër të debatit në Kuvend, ku mazhoranca dhe opozita shkëmbyen akuza për mënyrën se si po ecën procesi dhe për të ardhmen e disa bashkive në vend.
Debati nisi pas fjalës së kryedemokrati Sali Berisha, i cili iu bëri thirrje qytetarëve t'u bashkohen protestave dhe akuzoi mazhorancën se po përfaqëson interesa që nuk lidhen me qytetarët.
Pas ndërhyrjes së tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori fjalën për procedurë, duke kundërshtuar pretendimet e opozitës dhe duke i cilësuar ato si dezinformim.
"Komisioni e ka mbaruar aktivitetin. Më 23 korrik do të paraqiten raportet, por nuk do të ketë votim. Procesi vijon me konsultimet dhe në shtator do të rikthehemi sërish në diskutime. Bashkia Has nuk preket. Janë lajme të rreme që po përhapen për të trembur komunitetet."-tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.
Balla sqaroi se Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale nuk paraqiti kërkesë për zgjatjen e mandatit dhe, për këtë arsye, e ka përfunduar punën.
Sipas tij, në seancën plenare të 23 korrikut do të paraqiten raportet e palëve, ndërsa më pas ligji parashikon një periudhë 60-ditore konsultimi në komisionet parlamentare, përpara se diskutimet të vijojnë në shtator.
Gjatë fjalës së tij, ai mohoi se reforma parashikon ndryshime për Bashkinë Has apo Mirditën dhe ironizoi opozitën duke i ftuar deputetët të vazhdojnë pushimet, pasi nuk do të ketë votim në seancën e ardhshme.
Pas Ballës, Sali Berisha kërkoi të drejtën e replikës dhe kundërshtoi versionin e paraqitur nga mazhoranca.
"E vërteta është krejt tjetër. Ka pasur përpjekje për të zgjatur afatin e komisionit. Projekti që po diskutohet shkurton të paktën 20 bashki, nga Kruja dhe Mirdita deri në Konispol, Delvinë e Finiq."-u shpreh ai.
Berisha pretendoi se kishte pasur dakordësi për shtyrjen e afatit të komisionit dhe se ndërhyrja, sipas tij, erdhi pas një vendimi të kryeministrit Edi Rama.
Ai tha se projekti i reformës prek të paktën 20 bashki dhe shtoi se opozita kërkon që procesi të mbështetet në ekspertizën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Debati u mbyll pa një vendimmarrje për reformën.
Sipas kalendarit parlamentar, më 23 korrik do të paraqiten raportet e komisionit, ndërsa shqyrtimi i mëtejshëm i reformës pritet të vijojë pas përfundimit të periudhës së konsultimeve, në muajin shtator.


