Premton investime në fshatra, Këlliçi: Jam i pastër përballë rivalit që ka konsumuar çdo akuzë të Kodit Penal
Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi në takimin me banorët e Kasharit u zotua për investime në zonat rurale. Ai sqaroi planin për transportin falas dhe furnzimin me ujë.
Transporti falas, dhe furnizimi me uje është në fokus të programit të kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, për lehtësimin e kostos së jetës së qytetarëve.
Ai bisedoi me banorët e Kasharit për problemet e tyre dhe në të gjitha zonat rurale u zotua për investime.
“Unë këtë nuk po e bëj për të pasurit, nuk po e bëj për oligarkët. Këtë po e bëj për të rinjtë, për të moshuarit, për studentët, për familjet në nevojë. Për ata qytetarë të ndershëm që ndërrojnë nga dy linja autobusi në ditë, harxhojnë 1600 lekë në ditë transport, për të shkuar në punë, për të marrë një rrogë 450 mijë lekë apo 400 mijë lekë në muaj dhe paguajnë 10% të rrogës mujore për transport publik”.
Belind Këlliçi i njeh si aset vetes faktin se është i pastër nga akuzat në garën me rivalin, që sipas tij ka zullume në veprimtarinë si kryebashkiak.
“Përballë kam një të ri, se është ende i ri në moshë ai, që ka konsumuar çdo akuzë që ka Kodi Penal. Duke filluar që nga korrupsioni, lidhja me mafian, lidhja me Ndragheta, lidhja me mafian e plehrave, te ai djali i vogël që humbi jetën, Ardit Gjoklaj, që humbi jetën në landfillin e Sharrës, që unë nuk do e harroj kurrë dhe përherë do e përmend, se ja kam detyrim moral familjes së tij”.
Duke folur për braktisjen e zonave rurale, Këlliçi u zotua se do të jetë një kryebashkiak në shërbim të të gjithë qytetarëve e se ata do jenë vendimmarrës.
“Se të jetë për Erion Veliaj këtu i bie që të ketë 24 orë ujë të pijshëm 24 orë në ditë, por kjo nuk është e vërtetë. Do të jem një kryebashkiak në shërbimin tuaj".
I pranishëm në takim, përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Endrit Brahimllari, në cilësinë e kandidatit për këshill bashkiak, u shpreh se Erion Veliaj është tmerruar nga premtimi i Belind Këlliçit për transportin publik falas.