"Po përjetojmë një monizëm të dytë", Berisha: Rama, 10% më shumë pushtet se diktatori i fundit komunist

Sali Berisha e ka cilësuar situatën aktuale në Shqipëri si një monizëm të dytë. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kontrollon çdo pushtet në vend duke mos njohur ligjin. Berisha u shpreh se Rama ka prokuruar 250 tendera në mënyrë sekrete duke vjedhur fondet publike.

Për Sali Berishën, Shqipëria po përballet me një monizëm të dytë, njëlloj si në vitet 90’.

Berisha: Njësoj si në vitet ’90, përballemi me një monizëm të dytë të pamëshirë, me një monizëm i cili po shkatërron, rrënon këtë vend, shkreton këtë komb.

Berisha tha se shkaktar i kësaj situate është kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij ka pushtet edhe më të madh se ish-diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha.

Berisha: Edi Rama ka 10% më shumë pushtet se diktatori i fundit komunist në 1991.Sot Edi Rama kontrollon çdo pushtet në këtë vend, sot Edi Rama qeveris duke mos respektuar asnjë ligj, asnjë normë, asnjë standard, asnjë vendim.

Gjatë një takimi në Mat, Berisha foli edhe për korrupsionin ku tha se fondet po vidhen masivisht pasi qeveria ka prokuruar 250 herë tendera në mënyrë sekrete.

Berisha: 50 prokurime janë sekrete në sirtarët e Edi Ramës. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur me to. Në 8 vite para tyre, ka patur 8 ose 12 tendera sekrete të SHISH dhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe asnjë institucioni tjetër. Atyre u duhej dhe u jepej ajo e drejtë. Ndërsa sot zyra që varet nga Edi Rama dhe që quhet Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, ka prokuruar 250 herë në mënyrë sekrete, qindra e qindra mln euro.

Para qytetarëve të Matit u prezantua edhe kandidati i primareve që do të garojë për kryetar bashkie në 14 maj, Skënder Gjuci, i cili u zotua para demokratëve se nëse fiton, do ta kthejë Bashkinë në shërbim të qytetarëve.

EMISIONET