Petro Koçi zbërthen dokumentin e debatueshëm: Emri i Tahir Sinanit po përdoret për të krijuar një skandal që nuk ekziston
I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, deputeti Petro Koçi komentoi debatin e krijuar pas publikimit të një dokumenti pagesash, i cili ka ngjallur reagime dhe interpretime të ndryshme në opinionin publik.
Koçi u ndal te emri i Tahir Sinanit që figuron në dokument, duke sqaruar se sipas informacioneve të disponueshme nuk bëhet fjalë për dëshmorin e njohur, por për një person tjetër.
Sipas tij, ky element ka krijuar një keqkuptim të madh që po përdoret për të ushqyer debate të panevojshme.
"Nuk ka vlerë dokumenti po ta shohim me detaje."-tha Koçi.
Gjatë bisedës, ai ngriti dyshime se ka interesa të caktuara për ta mbajtur gjallë këtë keqkuptim, edhe pse faktet tregojnë një realitet tjetër nga ai që po paraqitet në publik.
Koçi vlerësoi se përdorimi i emrit të Tahir Sinanit në këtë debat përbën një problem në vetvete, pasi krijon perceptime të gabuara dhe largon vëmendjen nga përmbajtja reale e dokumentit.
"Ajo që është e rëndësishme është të shihet me kujdes se për çfarë bëhet fjalë realisht dhe jo të nxirren përfundime të nxituara."-shtoi ai.
Sipas tij, pagesat e përfshira në dokument mund të lidhen me shërbime, mallra apo transaksione të tjera të zakonshme dhe jo domosdoshmërisht me pretendimet që janë ngritur në publik ditët e fundit.


