PD e përçarë në Kushtetuese, avokati i Xhaçës: Ka përfituar vetëm pagën, ligji lejon të shoqin kur prona është private
Dy përfaqësi të ndryshme nga PD, u përballën në Gjykatën Kushtetuese me avokatin e ministres Olta Xhaçka në procesin e hapur për mandatin e Ministres së Jashtme. Avokati tha se klientja e tij ka përfituar nga shteti vetë pagën dhe se ligji lejon bashkëshortin të operojë në pronë private. Ndërkaq demokratet thanë se me këtë çështje gjykata duhet të dëshmonë pavarësinë e saj.
Opozita është shfaqur e ndarë edhe në Gjykatën Kushtetuese ku ka kërkuar njohjen e raportit të pakicës sa i përket kërkesës për mandatin e Olta Xhaçkës.
Në seancën e orës 10 është paraqitur avokati Marash Logu, i cili ka mbrojtur kërkesën e grupimit të Alibeaj duke theksuar se përfitimi i statusit investitor strategjik sjell konflikt interesi.
Në mesditë debati vijoi me kërkesën e deputetëve mbështetës së Berishës të cilët kanë theksuar se përfimi i bashkëshortit të Ministres kur ajo ka qenë në detyrë sjell papajtueshmëri me Kushtetutën.
Shehaj: Avokati i Xhaçkës pranoi vetë se zonja shtetase e huaj që ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur bashkëshortin e Xhaçkës është kunata e zonjës Xhaçka.Vendimi në gjykimin tonë është shumë i thujeshtë.Besojmë se Gjykata Kushtetuese ka krijuar një standard, u heq mandatin deputetëve nëse përfitojnë nga pronat publike.
Jemi të bindur se ka vetëm një mundësi përballë këtij abuzimi dhe akt korruptiv përndryshe do të ishte një dëm shumë i madh për besueshmërinë e kësaj gjykate nëse me vendimin e saj do të nxirrte të larë zonjën Xhaçka.
Nëse gjykata do jetë e drejtë nuk ka asnjë arsye dhe i ka të gjitha provat për të marë vendimin e duhur.Nëse ka një vendim tjetër që është marrë, ka argumenta, pretekste dhe justifikime sa të duam dhe sa të duan për të mos e marrë atë vendim.
U kujdesa shumë që të mos mbaj një fjalim që të dukej si presion, por fakti është se ne jetojmë në një vend ku mungon drejtësia, ku njerëzit largohen se nuk ka drejtësi sepse mendojnë se njerëzit e pushtetshëm si Xhaçka janë mbi ligjin, të praprekshëm dhe nuk ndëshkohen. Kurse qytetarët e thjeshtë ndëshkohen padrejtësisht dhe të vetmen alternativë që kanë është ajo që të largohen nga vendi.
Bylykbashi: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka një dispozitë shumë të qartë, nenin 70 pika 3 në mbrojtje të interesit publik. Askush, asnjë prej deputetëve nuk mundet që të ushtrojë një aktivitet fitimprurës me pasurinë e shtetit, apo të përfitojë nga pasuria e shtetit.
Dhe sanksioni për këtë është humbja e mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese tashmë e ka vendosur standardin për përfitime më të vogla se kaq. Dy deputetë të Republikës së Shqipërisë në të shkuarën kanë humbur mandatin.
E themi dhe njëherë, është i vetmi sanksion që ka Kushtetuta në raport me dispozitat e tjera, dhe është një sanksion dhe dispozitë e rrallë në kushtetutat e ndryshme. Dhe kjo nga kushtetutë bërësit është bërë në mënyrë të qëllimshme, për të parandaluar që deputetët apo pushtetmbajtësit të ushtrojnë pushtetin duke u pasuruar në dëm të interesit dhe pasurisë publike.
E thashë që precedenti është vendosur. Nëse sot do të bjerë ky precedent dhe qeveria me presionin që ka ushtruar deri në këto momente, do të arrijnë ta zhbëjnë këtë pikën 3 të nenit 70, të 140 bashkëshortët apo bashkëshortet e deputetëve, apo ministrave do të kenë mundësinë të ushtrojnë nëpërmjet kamuflimit, marrëveshjeve të simulimit, krijimit të kompanive fiktive dhe të ushtrojnë pushtetin në mënyrë të tillë, që të hyjnë të varfër në pushtet dhe të dalin të pasur.
Kjo është e papranueshme dhe sot është sigurisht detyra, nderi dhe përgjegjësia e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë interesin publik.Ne këtu nuk kemi ardhë për një çështje të PD-së, jemi në mbrojtje të interesit publik dhe gardiani i fundit për këtë është Gjykata Kushtetuese.
Ndërkaq përfaqësuesit e mazhorancës kanë kundërshtuar argumentet duke theksuar se çështja nuk ka të bëjë me përfitime nga fondet publike.
Madje ata u shprehën se vetë Ministrja nuk ka pasur përfitime dhe se në mbledhjen kur u miratua statusi investitor strategjik Xhaçka nuk ka marrë pjesë.
Për këtë avokatët dorëzuan edhe dokumentin zyrtar që sipas tyre provon faktin se Ministrja nuk ka pasur ndikim në vendimmarrje.
Avokati i Xhaçkës u shpreh në seancë se përveç pagës për detyrën që kryen, Ministrja e Jashtme nuk ka përfituar asgjë tjetër nga shteti.
Sipas tij, Xhaçka nuk ka cënuar besimin e publikut pasi ushtrimi i aktivitetit nga bashkëshorti parashikohet nga ligji si i lejuar përsa kohë që prona është private.
Avokati tha se po sipas ligjit, çdo subjekt që ushtron veprimtari në turizëm ka të drejtë të shfrytëzojë detin.
Pasi dëgjoi palët, Kushtetuesja pritet ta shqyrtojë çështjen dhe të shpallë vendimin brenda një afati 30 ditor.