Parku teknologjik, Bozdo: PS po miraton ligjin që minon konkurrencën dhe që favorizon kompanitë në kundërshtim me BE-në

Opozita akuzon mazhorancën për kalim të fshehtë të një projektligji që sipas saj minon konkurrencën, dëmton interesin publik dhe shkel standardet e detyrueshme të Bashkimit Evropian

Partia Demokratike, përmes deputetit Eno Bozdo, ka denoncuar një projektligj të dytë që po kërkon të kalojë mazhoranca në Kuvend, i cili ndryshon thelbësisht ligjin për parqet teknologjike. Sipas opozitës, ky projektligj po kalon me shpejtësi, pa transparencë dhe pa konsultim publik, duke hapur rrugën për praktika klienteliste dhe në kundërshtim të hapur me standardet e Bashkimit Evropian.

Në një dalje për mediat, Bozdo theksoi se një nga pikat më problematike është sanksionimi ligjor i një “faze virtuale” të funksionimit të parkut. Kjo do të thotë se kompanitë do të mund të regjistrohen dhe të përfitojnë lehtësira fiskale pa pasur një aktivitet konkret, punësim real apo shpenzime të verifikueshme.

Sipas opozitës, ky koncept ka qenë deri më tani i paligjshëm dhe dhënia e lehtësirave fiskale për një regjim virtual është një praktikë që Bashkimi Evropian dhe OECD e ndalojnë dhe e luftojnë në mënyrë aktive.

Bozdo tha se ky veprim shkon kundër standardeve të detyrueshme të BE-së dhe kapitullit 16 të *acquis communautaire*, i cili synon eliminimin e masave tatimore që dëmtojnë konkurrencën. Duke ndihmuar kompanitë e regjistruara virtualisht, ligji ofron ndihmë të palejueshme shtetërore dhe minon konkurrencën e ndershme.

Një tjetër shqetësim i madh i ngritur është se projektligji hap derën për marrëveshje të brendshme dhe jo transparente për shitblerjen e aksioneve midis zhvilluesve të parkut dhe enteve publike. Kjo, sipas denoncimit, mund të çojë lehtësisht në dëmtimin e interesave publike në favor të atyre private. Opozita kërkon që çdo marrëveshje e tillë t’i nënshtrohet një procedure publike konkurruese dhe rezultatet të jenë transparente.

Pika e tretë e kritikuar lidhet me parashikimin për ngritjen e qendrave të të dhënave (Data Center) brenda parkut. Edhe pse opozita e mbështet këtë lloj investimi, ajo paralajmëron se projektligji aktual injoron plotësisht kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian për këtë sektor. Janë tre akte të rëndësishme të BE-së që rregullojnë këtë fushë: direktiva për efiçencën e energjisë, direktiva NIS 2 për sigurinë kibernetike dhe rregullorja për mbrojtjen e të dhënave personale (GDPR).

Mungesa e një legjislacioni shqiptar të përafruar me këto akte e bën të pamundur verifikimin e pajtueshmërisë dhe paraqet një rrezik për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e të dhënave, duke e bërë Shqipërinë jo tërheqëse për kompanitë serioze evropiane.

Në përfundim, Eno Bozdo deklaroi se ky proces miratimi ligjesh me shpejtësi dhe pa transparencë, duke injoruar detyrimet ndaj BE-së, tregon se procesi i integrimit ka mbetur pa asnjë vlerë për mazhorancën aktuale.

Sipas tijj, roli i Parlamentit është reduktuar dhe qeveria kërkon vetëm të miratojë ligje “në letër” për të mashtruar opinionin publik se Shqipëria po ecën drejt BE-së. Për këtë situatë, u bë përgjegjës direkt kryeministri Edi Rama, i cili, sipas opozitës, po e bën perspektivën evropiane të vendit gjithnjë e më të largët.

DEKLARATA

Parku teknologjik, Bozdo: PS po miraton ligjin që minon konkurrencën

Në 13 janar të këtij viti, në funksionin tim si deputet, iu drejtova Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit me shkrim, për të marrë informacion mbi kompanitë e rregjistruara virtualisht në Parkun virtual Teknologjik të Durana/Xhafzotaj.

Kërkesa kishte lidhje me emrat e kompanive, pronarët e tyre dhe sa para këto kompani kanë përfituar nga lehtësitë fiskale, dmth nga taksapaguesit shqiptarë, duke u regjistruar virtualisht në Park. Për shkak se nuk mora përgjigje nga ministria, e rikërkova këtë informacion, përsëri me shkrim, në fillim të muajit mars.

Dhënia e këtij informacioni është e detyrueshme brenda 15 ditësh, ndërsa po bëhen tashmë afro 3 muaj dhe ky informacion nuk jepet qëllimisht, në shkelje të rëndë të ligjit për Statusin e Deputetit, të stadardit minimal të llogaridhënies dhe transparencës së detyrueshme të insitucioneve shqiptare.

Gjithsesi, maxhoranca po kërkon të kalojë një projektligj të dytë, i cili amendon thelbësisht ligjin e Parqeve Teknologjike, apo ndryshe Ligjin “Durana”. Ky projekligj, që është sjellë në Kuvend si insiativë e një deputeti të maxhorancës, po ndjek tashmë skemën e njohur të kalimit me shumë shpejtësi, pa trasparencë, pa u konsultuar me publikun, pa relacionet përkatëse.

Së pari, me amendimet e paraqitura, parashikohet faza virtuale e funksionimit të Parkut duke u sanksionuar këtë koncept në ligj. Kjo do të thotë se deri tani, koncepti i “virtualitetit” ka qënë i paligjshëm dhe për këtë arsye lehtësitë fiskale të marra nga kompanitë janë të paligjshme.

Por këtu ngrihet një cështje tjetër me mjaft rëndësi: dhënia e lehtësive fiskale për regjistrim virtual është një praktikë që Bashkimi Evropian e ndalon, madje e lufton nëpërmjet standardit BEPS, të OECD (Base Erosion and Profit Shifting).

Ky standard është i detyrueshëm për zbatim edhe për Shqipërinë. Ky standard lufton pikërisht atë që qeveria po përpiqet të miratojë: dhënien e lehtësive fiskale kompanive që operojnë virtualisht. Sepse cdo lehtësi duhet të jepet për një aktivitet konkret, për punësim real, për një produkt real të zhvilluar dhe për shpenzime të verifikueshme. Pra praktikisht, ky projektligj shkon kundër standardit të detyruar të BE.

Në të njëjtën kohë, kapitulli 16 i Acquis Communautaire përcakton se çdo shtet anëtar (dhe kandidat) duhet të adoptojë parimet e Kodit të Sjelljes BE për Tatimin e Biznesit (EU Code of Conduct for Business Taxation), i cili synon eliminimin e masave tatimore të dëmshme për konkurrencën. Kuadri rregullator për Parkun Durana, minon konkurrencës dhe ofron Ndihmë Shtetërore të palejuar për disa kompani që regjistrohen në mënyrë virtuale dhe përjashtohen totalisht nga tatimet dhe taksat, kundrejt të tjerave që zgjedhin të mos regjistrohen në këtë park!

Së dyti, projektligji hap derën plotësisht për marrëveshje të brendshme të shitblerjes së aksioneve, jo transparente, mes përdoruesve apo zhvilluesit të parkut nga njëra anë dhe enteve publike nga ana tjetër, si dhe krijim të kompanive të përbashkëta, gjë që mund të sjellë lehtësisht situata të dëmtimit të interesave publike në favor të interesave private.

Duhet patjetër që marrëveshjet e shitblerjes së aksioneve apo ato të bashkëpunimit mes enteve publike dhe përdoruesve apo zhvilluesve të parkut, të paraprihen nga një procedurë konkurruese, publike, marrëveshja mes tyre të publikohet, si dhe të mbahen auditime periodike, e rezultatet e tyre sërish të bëhen publike.

Së treti, projektligji parashikon që brenda kufijve të parkut te mundësohet edhe ngritja e “Datacenter”, pra e Qëndrave të të Dhënave.

Këtu duhet të theksojmë se Partia Demokratike e inkurajon fort këtë tipologji biznesi, e ka patur pjesë të programit të saj ekomomik dhe është në favor të lehtësive sa më të mundshme për të tërhequr këtë lloj investimi.

Por nga ana tjetër, për rëndësinë që ka, ky aktivitet në BE është i rregulluar dhe monitoruar me shumë kujdes. Bashkimi Evropian tre akte të rëndësishme ligjore (ka dy direktiva dhe një rregullore) që trajtojnë aspekte të ndryshme të këtij aktiviteti:

a) Direktiva për Efiçencën e Energjisë —EED Directive 2023/1791
Kjo Direktivë është instrumenti kryesor i BE-së për datacentre. Neni 12 i saj detyron të gjithë operatorët e datacentrave me kapacitet mbi 500 KW të raportojnë çdo vit tregues kyç të performancës (KPI) konsumin total të energjisë, konsumin e ujit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe nxehtësinë e mbetjes.

b) Direktiva NIS2 e Sigurisë Kibernetike— Cybersecurity Directive 2022/2555
NIS2 klasifikon infrastrukturën dixhitale — duke përfshirë datacentrat — si sektor “thelbësor” i sigurisë kombëtare. Shqipëria, si vend kandidat, është e detyruar ta adoptojë NIS2 si pjesë e Kapitullit 10 (Shoqëria e Informacionit dhe Media) të procesit të anëtarësimit.

c) Rregullorja 2023/2854 dhe Mbrotja e të Dhënave Personale (General Data Protection Regulation) GDPR

Rregullorja rregullon aksesin, përdorimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të gjeneruara nga pajisjet e lidhura dhe shërbimet cloud — aktivitete thelbësore të datacentrave. Kjo Rregullore imponon kufizime strikte mbi vendndodhjen fizike të të dhënave personale të qytetarëve europianë dhe mbi transfertat ndërkufitare. Mungesa e legjislacionit shqiptar mbi datacentrat e bën të pamundur verifikimin e pajtueshmërisë me këtë rregullore — element kritik për çdo kompani europiane që do të vendosë të dhëna në datacentrat e Duranës.

Prandaj ky aktivitet nuk mund të përfshihet në Park, sepse më parë duhet të rregullohet me një legjislacion të vecantë, duke i dhënë përgjigje të gjitha shqetësimeve.

Përfundimisht, miratimi i ligjeve të tilla, shumë të rëndësishme dhe me shumë ndikim, me shpejtësi marramendëse dhe pa konsultime me publikun, duke mos rekspektuar as detyrimet tona minimale ndaj Bashkimit Evropian në tërma të përafrimit të legjislacionit, vetëm sa vërteton atë që Partia Demokratike ka shprehur si shqetësim thelbësor të tij:

Procesi i integrimit mbetet pa asnjë vlerë dhe pa asnjë kuptim nga veprimet e kësaj maxhorance. Roli i Parlamentit është reduktuar thelbësisht sepse ai nuk kryen më asnjë funksion të rëndësishëm. Qeveria kërkon vetëm miratimin e ligjeve në letër, sa për sy e faqe, për të mashtruar opinionin publik vendas dhe të huaj se Shqipëria është e “gatshme” të hyjë në BE.

Për fat shumë të keq, faktet e përditshme tregojnë të kundërtën. Me anë të kësaj sjelljeje, përspektiva e Shqipërisë në BE po bëhët gjithnjë e më shumë e largët! Përgjegjës për këtë është e një dhe vetëm një personi: e Edi Ramës!

EMISIONET