PAKETËN E RE PËR TË MOSHUARIT/ Check-Up falas pa kufizim moshe për qytetarët mbi 35 vjeç

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi paketën e re të masave për të moshuarit. Ndryshimi kryesor lidhet me heqjen e kufirit të moshës për kontrollin bazë shëndetësor Check-Up, duke u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve mbi 35 vjeç ta përfitojnë falas. Krahas kësaj, për herë të parë do të ngrihet një shërbim i dedikuar geriatik dhe një linjë kombëtare këshillimi për të moshuarit.

Më shumë qytetarë mbi moshën 70 vjeç pritet të përfshihen në programin e kontrolleve parandaluese shëndetësore të skemës Check-Up.

Gjatë një takimi me të moshuarit në Qendrën Sociale Ditore në Pogradec, ministrja Evis Sala prezantoi ndryshimet që synojnë të përmirësojnë kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen sociale për këtë grupmoshë.

Sala:“Kemi propozuar pranë Këshillit të Ministrave heqjen e kufizimit të sipërm të moshës për kryerjen e Check-Up falas. Deri më sot, shërbimi ofrohej për grupmoshën 35-70 vjeç. Çdo qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të mund ta kryejë Check-Up falas.”

Me këtë ndryshim edhe qytetarët mbi 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë mundësi të kryejnë kontrolle parandaluese pa pagesë, duke e zgjeruar skemën aktuale të përfitimit.

Ministrja Sala bëri të ditur edhe nisjen e një mekanizmi të ri komunikimi për të moshuarit, përmes Linjës së Këshillimit, e cila do të shërbejë për informim dhe orientim mbi shërbimet publike.

Sala: “Për herë të parë po krijojmë një linjë të dedikuar këshillimi për të moshuarit, ku ata do të mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje për çdo shërbim shëndetësor apo social për të cilin kanë nevojë.”

Ministria bën të ditur se Linja e Këshillimit për të Moshuarit do të jetë falas në numrin 08004042 dhe qëllimi është që të moshuarit të kenë akses më të lehtë në shërbimet që u nevojiten dhe të mos mbeten pa informacion nga institucionet publike.

Një tjetër nismë e prezantuar është krijimi për herë të parë i shërbimit të Geriatrisë në Shqipëri. Ky shërbim synon të ofrojë kujdes të specializuar për të moshuarit dhe fillimisht pritet të vendoset në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për t’u shtrirë më pas edhe në spitale të tjera rajonale.

EMISIONET