Opozita proteston të shtunën, Bozdo: Mali i madh i korrupsionit të Ramës do marrë nesër goditjen e parë
Anëtar i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, thotë se ruajtja e pluralizmit në Shqipëri thërret shqiptarët që të protestojnë nesër kundër Edi Ramës para Kryeministrisë.
Bozdo: Besoj që arsyet pse shqiptarët duhet të protestojnë ndaj kësaj qeverie, kundër kësaj qeverie janë të panumërta tashmë. Nëse deri sot kemi bërë thirrje për pjesëmarrje në protesta për çështje të brendshme, me zbulimin e ngjarjeve të fundit ka një arsye më tepër për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Afera "McGonigal" nuk vë vetëm përfund reputacionin e Edi Ramës por hedh një njollë të zezë dhe mbi reputacionin e Shqipërisë dhe miqësinë SHBA-Shqipëri.Duhet të protestojmë që në këtë vend të ruhet pluralizmi. Kemi shumë arsye por kjo është arsyeja madhore.
I ftuar në Rtv Ora, Bozdo tha se Rama pavarësisht se nuk ia doli të asgjesojë politikisht Sali Berishën vazhdon të mbajë peng vulën dhe siglën e PD.
Bozdo: Nuk u arrit asgjesimi politik i Sali Berishës por Rama vazhdon dhe mban peng vulën dhe siglën e PD. Me 3 mars mbahet seanca në Apelin e Tiranës. Ky skenar vazhdon. Por kryesorja ishte zhbërja e PD dhe ky skenar nuk funksionoi.
Bozdo komentoi edhe vendimin e deputetëve demokratë të grupit të Alibeaj për t'iu bashkuar protestës së opozitës.
Bozdo: Duan të mbajnë vulën duke e quajtur veten PD por ndërkaq i binden PD për të ardhur në protestë, nuk kanë mundësi të organizojnë asgjë vetë, nuk prodhojnë politikë dhe opozitarizëm, nuk prodhojnë asgjë. Ajo që prodhojnë është mbajtja peng për qëllim të Edi Ramës e vulës dhe e flamurit tonë. Mali i i madh i korrupsionit të Edi Ramës nesër ka për të marrë një goditje. Por ne do të vazhdojmë me protesta të përhershme për të treguar se nuk i bindemi dhe nuk i nështrohemi më të keqes.
Lidhur me mbarëvajtjen e protestës së të shtunës, ai tha se PD nuk është parti e dhunës por qytetarët do të jenë të lirë të shprehin ndjenjat ndaj qeverisë.
Bozdo: PD ka thirrur një protestë dhe qytetarët do të jenë të lirë të shprehin ndjenjat ndaj qeverisë në mënyrën më të mundshme, si do ta vendosin ata. Por PD nuk ka qenë kurrë parti e dhunës, asnjëherë në 30 vite nuk ka bërë dhunë në protesta të këtij lloji. Por dhuna e përditshme që Rama u bën qytetarëve, PD, një ditë ka për të marrë përjgigjen. Ndoshta mund të jetë nesër, mund të jetë më vonë. Do të vijnë 100 mijë protestues në Tiranë minimalisht. Fokusi është Edi Rama.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.