Nisin premtimet e fushatës, Ilir Meta: Do dyfishojmë pensionet që në mandatin e parë
Kur na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, partitë politike janë përfshirë në ethet e fushatës elektorale.
Dhe në kuadër të kësaj fushate nuk mungojnë as premtimet e mëdha për shtresat më vulnerabël të shoqërisë shqiptare, siç janë pensionistët.
Një premtim i fortë këtë të enjte erdhi nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili gjatë një takimi me pensiontë të Tiranës, premtoi dyfishimin e pensioneve për ta me të ardhur në pushtet forca që ai drejton dhe koalicioni i Opozitës së Bashkuar.
Po ashtu, Ilir Meta theksoi se për të moshuarit është shumë e vështirë të jetojnë në këto kohë ku çmimet janë shumë të larta dhe pensionet janë të ulëta.
“Kosto shumë e shtrenjtë e jetesës. Jeni gjenerata e pashpërblyer.
Ndesheni me vështirësi shumë të mëdha çmimet janë rritur me 50 %, ndërkohë që pensionet nuk janë rritur.
Nga viti 2005 deri në 2013-ën, pensionet u rritën 70%, ndërsa nga 2013-ta deri në 2021-n u rritën me vetëm 21 %.
Rama nuk ju ka prioritet juve, por ka oligarkët
Nuk ju rimbursojnë barnat, nuk ju mundësojnë transport publik.
Partia e Lirisë do sigurojë mbështetje për ju, ne do jemi zëri juaj.
Me fitoren në 14 maj, ne do të bëjmë gjithçka që në mandatin e parë të dyfishojmë pensionet në vend, sepse çmimet janë rritur në mënyrë skandaloze, ndërsa trajtesa juaj është qesharake. Ne si PL kemi çuar një ligj në parlament për indeksimin e pagave çdo vit në raport me rritjen ekonomike dhe inflacionit. Këtë gjë do të bëjmë edhe me pensionet, në mënyrë që t’i japim fund kësaj filozofieë dhe qeverisje të vendti ku rritjen ekonomike e përfiton një pakicë shumë e vogël, ndërsa shumica gjithnjë e më shumë varfërohet” u premtoi kreu i PL-së, Ilir Meta pensionistëve të kryeqytetit.