Nga "aferat" tek rritja e kriminalitetit në vend, Berisha mbledh deputetët 30 minuta para seancës. Ja çfarë pritet të ndodhë në Kuvend

Nga "aferat" tek rritja e kriminalitetit në vend, Berisha mbledh

Parlamenti do të zhvillojë sot, më 28 mars, seancën e përjavshme plenare që nis në orën 10:00.

Por 30 minuta para nisjes së punimeve parlamentare, kryedemokrati Sali Berisha pritet të mbledhë grupin e tij parlamentar.

“Në ora 9:30 mbledhje e grupit parlamentar në seli, salla “Azem Hajdari.””, njofton zyra e shtypit e selisë blu.

Mësohet se temë e diskutimeve do të jetë pikërisht paracaktimi i qeëndrimeve në Kuvend, kur kryefjalë do të jenë sulmet dhe akuzat ndaj mazhorancës dhe qeverisë lidhur me ato që demokratët i cilësojnë si aferat korruptive të qeverisë “Rama”.

Po ashtu temë do të jetë dhe qëndrimi lidhur me situatën tejet shqetësuese të rritjes së kriminalitetit në vend.

Dhe një vend të veçantë në diskutimin e demokratëve në Kuvend do të jetë dhe nisma e kryeministrit Edi Rama për rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe shpërndarjen e bonusit të përballimit të krizës së çmimeve për pensionistët dhe familjet në nevojë, nismë që vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Ndërkaq sipas rendit të ditës, është përcaktuar mbajtja e interpelancës me Ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, e kërkuar kjo nga deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.

Më tej, do të shqyrtohet dhe votohet projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe dy projektvendimet për ndryshime në vendimin e lidhur me anëtarët zëvendësues të Komisioneve të Përhershme të Kuvendit.

Pika e fundit e rendit të ditës është parashikuar për çështje të tjera jashtë rendit për rreth 60 minuta.

edi rama sali berisha seanca plenare berisha kuvend

EMISIONET