Meta: Votoni kundër Rama-formës, harta e re gjyqësore nuk merr parasysh largësinë gjeografike
Në një dalje për mediet, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u shpreh se si rezultat i “Ramaformës” në Drejtësi, nga sot janë disa dhjetëra dhe qindra mijëra qytetarë, të cilëve do t’u hiqet mundësia e deritanishme për të ndjekur çështjet e tyre në gjykata dhe në prokurori.
Ai shtoi se kjo hartë gjyqësore është një Antireformë e rrezikshme, sepse kjo hartë e re gjyqësore nuk merr parasysh një nga problematikat më delikate të shumë qytetarëve
Rama: Përshëndetje të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht përfaqësuesve të medias që janë të pranishëm. Doja të tërhiqja vëmendjen tuaj për tre çështje të rëndësishme, së pari për lajmin tjetër shumë të rëndë dhe të papranueshëm që si rezultat i “Ramaformës”, pra i zbatimit antikushtetues të Reformës në Drejtësi, nga sot janë disa dhjetëra dhe qindra mijëra qytetarë, të cilëve do t’u hiqet mundësia e deritanishme për të ndjekur çështjet e tyre në gjykata dhe në prokurori.
Sepse nga sot për fat të keq, edhe gjykatat e shkallës së parë do të mbyllen në Lushnje, në qytetin e Kongresit të Lushnjes ku u themelua shteti shqiptar, në Pogradec, në Kavajë, në Kurbin, në Krujë, në Mat, në Tropojë, Përmet etj. “Ramaforma” në drejtësi që është pikërisht zbatimi antikushtetues i Reformës në Drejtësi, në kundërshtim të plotë me të gjitha premtimet e bëra përpara 7 vitesh po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi, po shton zvarritjet, burokracitë pafund dhe po u rrit kostot në mënyrë të tillë që t’i lërë ata realisht pa drejtësi.
Kjo hartë gjyqësore është një Antireformë e rrezikshme, sepse kjo hartë e re gjyqësore nuk merr parasysh një nga problematikat më delikate siç është largësia gjeografike që shumë qytetarë kanë nga gjykatat dhe njëkohësisht mundësitë e kufizuara të transportit dhe ato financiare individuale për të përballuar këtë transport të largët dhe absurd. Kjo hartë e tillë arbitrare shkakton realisht asgjësimin e mundësisë reale për akses të lehtësuar në Drejtësi dhe realizimin e vërtet të barazisë para ligjit dhe të pandikuar nga asnjë faktor social dhe ekonomi që krijon pabarazi. Ndaj në 14 Maj, qytetarët e Shqipërisë do të votojnë edhe kundër “Ramaformës”, e cila po ua bën drejtësinë edhe më të pamundur, edhe më të paarritshme, dhe më të shtrenjtë, në mënyrë që ti lërë pa drejtësi.

