“Luftë” në Kuvend për TIMS-in dhe tenderat e Shëndetësisë. Bardhi kërkon ndryshimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhen paraditen e kësaj të enjteje në seancën e radhës plenare.

Në rendin e ditës së parashikuar, mazhoranca dhe opozita pritet të përplasen mes tyre lidhur me nismat e opozitës për nisjen e hetimeve parlamentare për skandalin me të dhënat e sistemit TIMS në Policinë e Shtetit, dhe atë të skandalit me tenderat dhe koncesionet e dhëna në sistemin e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i kërkon Kuvendit të fusë në rendin e ditës projektvendimin për rishikimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Në shkresë, Bardhi argumenton faktin se në seancën e datës 21 shtator, është vendosur që ky projektvendim të futet në seancën e radhës, gjë që nuk është reflektuar nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Gazment Bardhi thotë se rishikimi i përbërjes së Komisionit të Reformës është domosdoshmëri.

“Pasi për më shumë se 1 vit nuk është bërë asnjë punë dhe disa anëtarë sot nuk janë më deputetë, për shkak të heqjes dorë nga mandati”, thekson në kërkesën e tij kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi.

RENDI I DITËS

1. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 57/2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë””. (Shumicë e thjeshtë votash për miratim)

2. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ndërtimi i urave të qëndrueshme, duke përdorur qasjen e programit me shumë faza””. (Shumicë absolute votash për miratim)

3. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA II), ratifikuar me ligjin nr. 3/2022”. (Shumicë absolute votash për miratim)

4. Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 34/2022 “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm, në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financat””. (Shumicë e thjeshtë votash për miratim)

5. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 66/2021 “Për zgjedhjen e Byrosë dhe përbërjen e Sekretariateve të Kuvendit”, i ndryshuar”. (Shumicë e thjeshtë votash për miratim)

6. Projektvendim “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave Personale në Bazat e të Dhënave Shtetërore”. (Shumicë e thjeshtë votash për miratim)

7. Projektvendim “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Kontratat Publike në Sektorin e Shëndetësisë”. (Shumicë e thjeshtë votash për miratim)

8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

KERKESA E GAZMENT BARDHIT

gazment bardhi kuvend tenderat mola luku tims komisionet hetimore

Dokumenta bashkëngjitur

EMISIONET