Kuvendi përkujton viktimat e Holokaustit, pjesë edhe kryetari i parlamentit izraelit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Kuvendi i Shqipërisë mbajti një seancë të Posaçme për të nderuar viktimat gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla përcolli edhe mesazhet që dërguan dy presidentët, ai i Izraelit Isaac Herzog dhe kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj.

Kuvendi i Shqipërisë mbajti këtë të enjte një seancë të veçantë në nder të viktimave të Holokaustit.

Përfaqësues të ambasadave të huaja dhe anëtarët e parlamentit kujtuan ndihmën që populli shqiptar i dha hebrenjve gjatë kohës së luftës.

Edhe pse jo i pranishëm, Presidenti Begaj nderoi viktimat e Holokaustit me anë të një letre përshëndetëse.

"Kemi ndërmarrë nisma në përkujtim jo vetëm të viktimave të Holokaustit, për edhe të rolit të Shqipërisë në mbështetjen e tyre ashtu edhe të miqësisë mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Memoriali i Hebrenjve në Tiranë dhe Muzeu Solomon në Berat".

Ndërkaq edhe Presidenti izraelit, Isaac Herzog dha mesazhin e tij për shqiptarët në të njëjtën mënyrë si homologu i tij Begaj.

“Kur kujton se vendi ynë shpëtoi hebrenj gjatë Holokaustit, vlerëson kontributin e Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit dhe përpjekjet për edukimin e brezave që mos ti harrojnë mësimet e historisë”.

Kryetari i parlamentit izraelit, Amir Ohana, ju drejtua gjithashtu Kuvendit me anë të një videomesazhi.

"Ne në Izrael e njohim dhe e vlerësojmë popullin shqiptar, në rrethanat më të vështira dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre, shqiptarët mbrojtën hebrenjtë gjatë holokaustit për të shpëtuar shumë prej tyre nga regjimi nazist. Izraeli si shtëpia e popullit hebre veçohet turpshëm dhe vazhdimisht në forumet ndërkombëtare. Ky diskriminim nxitet nga sterotipet dhe simbolet e vjetra antisemitike. Kjo po ndodh në një kohë ku Irani kërcënon publikisht dhe hapur se do të shkatërrojë Izraelin dhe mëshon drejt marrjes së armëve nukleare" .

Edhe krerët e grupeve parlamentare të vendit nga foltorja e Kuvendit u shprehën se Shqipëria është dhe do të mbetet si një nga shtetet që do të dënojë në çdo mënyrë çdo formë të antisemitizmit.

"Një fshat malor, e ndoshta më malori i Librazhdit quhet Çarishtë, aty ku familja Biçaku strehoi 26 hebrenj gjatë luftës së dytë botërore, duke vënë veten dhe anëtarët e familjes në rrezik. Një dëshmi rrënqethëse që dëshmon mbrojtjen e mikut në çdo rrethanë dhe duke rrezikuar jetën," tha Balla.

"Holokausti, ky krim lebetitës ndaj një populli të tërë, i llahtarshëm që nuk kurse as fëmijë e gra, as pleq e të sëmurë është dëshmi e faktit se djallëzorja mund të marrë forma të tilla të pamendueshme. Është dëshmi e faktit se si një grupim politik se si një ide e çmendur e veshur me politikë mund të rritet, të ecë e të shfaqë e të duket si normale e pranuar," tha Alibeaj.

EMISIONET