“McGonigal” absurd! Rama sqaron për 39 minuta pse u përmend 14 herë: Furra po bëhet gati!
"Jemi thjeshtë një jashtëqitje masive e kombit e ndarë përgjysmë. Mjaftë më!"
Kryeministri Edi Rama mori 39 minuta në foltoren e Kuvendit për të sqaruar 14 rastet kur emri i tij përmendet në aktakuzën për ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
Rama: Aktakuza nuk thotë asgjë, zero, as për mua, as për qeverinë shqiptare apo për këdo tjetër që ka takuar personi në fjalë as për shtetin shqiptar. Si i bëhet tani? Këtu i bëhet kështu, më dëgjoni mua. Këtu tani rrugët ndahen më shumë dhe me qartë se asnjëherë tjetër. Unë në punët e mia si kryeministër i Shqipërisë, ju në rrugën e rrugës suaj të revolucioneve, rrëzimeve, tërheqjeve zvarrë, marshimeve, baltosjes sime dhe të kujtdo rreth meje dhe madje më keq akoma, edhe të Shqipërisë narkoshtet, fole e mafias më të rrezikshme planetare, regjim komunist, fashist, gënjeshtra me bisht, lidhur bisht pas bishti deri tek bishti i kaltër i kalit të lirisë.
Sa i pëket akuzës se ka ushtruar ndikim të paligjshëm në hetimin e lobimit të PD në SHBA, Rama tha se paratë ruse i ka marrë PD dhe qëllimi, shtoi ai, ishte destabilizimi i rajonit.
Rama: E ka publikuar në raportin e saj se Partia Demokratike, së bashku me një parti tjetër në Maqedoninë e Veriut, një parti tjetër në Mal të Zi, një parti tjetër në Bosnje financohen nga paratë ruse për të destabilizuar. Është në raportin e CIA-s.
Akuzat për korrupsion për çështjen e non gratave Rama i cilësoi absurde ashtu si mocionin me debat me të cilin u përball.
Rama: Sikur non gratat të nxirreshin me lek si byrekë nga sporteli i Departamentit të Shtetit këtu vetëm Pandi Majko do kishte shpëtuar nga ne që jemi këtej pa u damkosur jo non gratë, imagjinoni ku do ishin Fatmiri me Gramoz Ruçin bashkë me mua po e po.
Përgjigjet për pyetjet e opozitës i ndërthuri me ironi dhe akuza. Tha se është hera e parë dhe e fundit që flet për këtë çështje.
Rama: Flisni, bërtisni, ulërini, akuzoni, shpifni, kërcënoni, shani, sajoni, ofendoni, fabrikoni, protestoni, shantazhoni, hidhuni përpjete sa të doni por nderin e përballjes me mua këtu apo jashtë këtyre mureve bam e bum, njëri gozhdës e tjetri patkoit duke rrokullisur kokën e miletit pa karar e as orar, nuk keni për ta pasur më si deri dje.
Ftesë i bëri opozitës për tu përballur në zgjedhje.
Rama: Kam tradhtuar kombin sepse desha të eliminoj këta që eliminohen vetë çdo ditë, ka 10 vjet. Ju presim në 14 maj për të na mundur më keq se ç’na keni mundur gjatë këtyre 9 viteve, suksese në jetë dhe deri atëherë, kujdes se byrektorja vazhdon punën.
E mbylli me një paralajmërim.
Rama: Në një rast tjetër ka shkuar 30 vjet, por duke u tërhequr zvarrë me pizhame autorët kanë përfunduar aty ku e kanë vendin. Kështu që mos u nxitoni përpara kohe dhe përpara se koha të bëjë punën e saj. Okllaia po shtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur. Personi në fjalë do ta shihni vetë.