KUVENDI "BLINDOHET" TRE ORË PARA SEANCËS/ Protestuesit mblidhen para godinës parlamentare
Në një lidhje direkte nga ambientet para Kuvendit të Shqipërisë, gazetari i Ora News, Bekim Bici, sjell zhvillimet nga protesta e zhvilluar përpara seancës së parafundit plenare të këtij sesioni parlamentar.
Tubimi i qytetarëve ka nisur disa orë para orarit të parashikuar të seancës, ndërsa forcat e policisë kishin marrë masa të shtuara sigurie duke vendosur barriera metalike rreth godinës së Kuvendit.
Sipas gazetarit në terren, organizimi i protestuesve që në orët e para të mëngjesit ka sjellë një situatë të papritur për policinë.
Një pjesë e qytetarëve ka arritur të kalojë pengesat metalike dhe të futet brenda perimetrit të parë të sigurisë, me synim afrimin pranë hyrjes ku kalojnë deputetët.
“Protesta ishte paralajmëruar të zhvillohej përpara Kuvendit, ndërsa grumbullimi i qytetarëve nisi që prej orës 9:00 të mëngjesit. Masat e sigurisë ishin të shumta, me gardhe metalike rreth hyrjeve kryesore dhe pjesëve anësore të godinës. Por ndarja e informacionit për orarin e protestës duket se ka krijuar një situatë të papritur, duke bërë që një pjesë e protestuesve të afrohen më pranë Kuvendit.”-raporton gazetari Bici.
Pas përfundimit të organizimit fillestar, protestuesit kanë vijuar me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqje. Tubimi zhvillohet në ditën e 51-të të protestës së tyre, ndërsa organizatorët e kanë cilësuar këtë protestë si një aksion simbolik.
“Një pjesë e protestuesve ndodhet tashmë brenda rrethimit të parë metalik të vendosur nga policia, ndërsa pjesa tjetër vijon të qëndrojë jashtë perimetrit të sigurisë. Synimi i tyre është afrimi me deputetët në momentin e mbërritjes së tyre për seancën plenare, e cila pritet të nisë në orën 12:00.”- tregoi më tej Bici.
Forcat e rendit vijojnë të mbajnë nën kontroll situatën në zonën përreth Kuvendit, ndërsa pritet të shihet nëse protesta do të shoqërohet me përplasje apo do të vijojë në mënyrë paqësore deri në nisjen e seancës parlamentare.



