Kushtet e Greqisë, Berisha: Integrimin po e pengon vetëm Rama. Frikë nga shkarkimi? Përgjegjësinë e vjedhjes e ka hajduti
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian po e pengon kryeministri Edi Rama. Berisha deklaroi se Rama ka marrë pushtetin juridik dhe nuk po lejon që Fredi Beleri të betohet.
Sipas tij, betimi nuk kërkon as vendim gjykatë dhe prokurorie, por vetëm urdhër administrativ nga ministri i Drejtësisë që ta shoqërojnë në sallën e betimit.
“Absolutisht vetëm Edi Rama, sepse ligjet e vendit nuk e ndalojnë kurrë Belerin për të bërë betimin. Dhe betimet janë bërë në këtë vend, jo një por disa, pavarësisht se kanë qenë të burgosur.
Është Edi Rama që ka marrë pushtetin juridik dhe nuk lejon të betohet. Betimi i Belerit nuk kërkon vendim gjykate, nuk kërkon vendim prokurorie, kërkon urdhër administrativ nga ministri i Drejtësisë që ta shoqërojnë në sallën e mbledhjeve të bashkisë së Himarës ku të bëjë betimin.
Është ministria e Drejtësisë, është drejtoria e Përgjithshme e burgjeve, është gjithçka ekzekutive. Për të mos thënë që organet e kontrolluara nga Edi Rama të drejtësisë, kanë pranuar si provë atë që me procedurë penale nuk pranohet si provë. Pra, po e pengon Edi Rama. Nuk po kërkon Greqia asgjë tjetër, veçse zbatimin e ligjeve të vendit. Po e bllokon për qëllimet më mafioze, është i harbuar, i tërbuar pas trojeve në Himarë.”, tha Berisha.
KUVENDI I 2 DHJETORIT
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp, sulmoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur pushtetin për interesat e tij personale.
Berisha u ndal te Kuvendi Kombëtar i 2 dhjetorit dhe nëse do të votëbesohet nga demokratët apo jo. Ai tha se nuk ka përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve, pasi ato u vodhën.
A ju shkakton ndonjë emocion data 2 dhjetor kur do të mbahet Kuvendi Kombëtar, pasi në këtë datë anëtarët kanë të drejtë të votojnë apo të shkarkojnë?
Jam i vendosur dhe besoj te demokratët, dhe i vendosur që të respektojë çdo vendim të tyre.
A ka faj Berisha për humbjen e zgjedhjeve të 14 maj?
Për vjedhjen e zgjedhjeve të 14 majit në kod dhe moral, mban përgjegjësi vetëm ai që vjedh. Dita e zgjedhjeve nuk është ditë e proves së forcës, por ditë integriteti.
Duke thënë këtë, Berisha mban përgjegjësi për çdo lloj dobësie të shfaqur gjatë fushatës, ditën e zgjedhjeve dhe me radhë, por me vjedhjen, s’ka askush përgjegjësi se hajduti vjedh dhe vjedh.
Përgjegjësinë e ka hajduti. Ndaj duhet të mësohemi që t’i japim mësim atyre që vjedhin. Demokratët janë të mirëpritur në Kuvend.



