Kume: Sistemi aktual zgjedhor po i bën një dëm të madh demokracisë, ja pse duhet ndryshuar urgjentisht
Në një kohë kur Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore ka nisur punën, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, bën thirrje për një ndërhyrje të thellë dhe thelbësore në Kodin Zgjedhor, duke e cilësuar atë si të domosdoshme për funksionimin e demokracisë në vend.
Sipas ekspertit të çështjeve zgjedhore, Kodi Zgjedhor nuk duhet parë si një dokument statik, por si një “gjë e gjallë” që kërkon përshtatje të vazhdueshme. Ai argumenton se ndryshimet në kod nuk tregojnë dobësi të tij, por janë një nevojë që lind nga zbatimi në praktikë dhe nga dinamikat e shoqërisë.
"Cështja thelbësore nuk është nëse kodi ndryshohet apo jo, por nëse bëhen ndryshimet e duhura që garantojnë zgjedhje sipas standardeve dhe fuqizojnë demokracinë përfaqësuese."
Problemi kryesor që Kume identifikon në sistemin aktual është ndarja e vendit në 12 njësi zgjedhore. Ai shprehet se kjo mënyrë e organizimit ka treguar në praktikë se cenon rëndë përfaqësimin e drejtë, duke deformuar konvertimin e votave të qytetarëve në mandate deputetësh. Ky sistem, sipas tij, ka favorizuar historikisht dy partitë e mëdha, duke lënë një numër të madh qytetarësh pa përfaqësim real në Kuvend. “Ta rishkruajmë Kodin Zgjedhor në ato pjesë që rregullojnë mënyrën se si zbatohet sistemi proporcional rajonal tek ne,” deklaroi ai, duke e cilësuar këtë pikë si çështjen më urgjente për t’u trajtuar.
Pavarësisht nevojës urgjente për ndryshime, ish-kreu i KQZ-së shprehet skeptik për vullnetin politik të komisionit aktual. Ai vë në dukje se aktorët politikë janë të njëjtët dhe interesat e tyre nuk kanë ndryshuar, çka mund të çojë në përsëritjen e dështimeve të së kaluarës. Ndryshimi i sistemit, sipas Kumes, nuk do t'i shërbente një partie specifike, por vetë demokracisë, duke siguruar që ushtrimi i sovranitetit nga populli përmes votës të jetë real dhe jo formal.
Në përfundim, apeli i tij është i qartë: reforma zgjedhore duhet të fokusohet në ndërtimin e rregullave që garantojnë përfaqësim të drejtë për të gjithë qytetarët dhe jo në ruajtjen e një sistemi që u shërben interesave të ngushta të dy forcave kryesore politike.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:

