Kryeministri Rama niset në Poloni, do marrë pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), e cila zhvillohet më 25-26 qershor në Gdańsk, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, konferenca synon të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe të mobilizojë investime për rindërtimin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Punimet e konferencës do të fokusohen në sektorët më të prekur nga agresioni rus, përfshirë energjinë, infrastrukturën kritike dhe logjistikën, si dhe në forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, të konsideruara thelbësore për procesin e rindërtimit.
Gjatë qëndrimit në Poloni, kryeministri Rama do të pritet nga kryeministri polak Donald Tusk dhe do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së konferencës. Ai pritet të mbajë gjithashtu një fjalë përshëndetëse në sesionin e dytë plenar.
Në kuadër të konferencës, Rama do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve pjesëmarrëse, si edhe me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos.
Në kuadër të agjendës, Kryeministri do të takohet gjithashtu me drejtues të kompanive ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të sektorit të energjisë dhe investimeve, me fokus nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësive të reja të zhvillimit.
Konferenca për Rindërtimin e Ukrainës shërben si platforma kryesore ndërkombëtare për koordinimin e mbështetjes politike, financiare dhe ekonomike ndaj Ukrainës, duke bashkuar aktorë publikë dhe privatë në funksion të rimëkëmbjes dhe transformimit afatgjatë të vendit.


