Kriza e Euros, Tabaku: Qeveria po manipulon tregun, po favorizon monopolet dhe oligarkinë. Paraja e pisët nuk mund ...
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sërish në lidhje me zhvlerësimin e monedhës Euro dhe forcimin e Lekut, ku shpreh se Shqipëria ka hyrë në një fazë të rrezikshme në lidhje me ekonominë.
Përmes rrjeteve sociale, Tabaku shprehet se qeveria po kërkon të manipulojë tregun dhe të favorizojë a monopolet dhe oligarkinë ekonomike.
Reagimi i plotë i Tabakut:
Paraja e pisët nuk mund të jetë e ardhmja e ekonomisë!
Qeveria pretendon se problemet që hasin bizneset e eksportit që mbajnë mbi 100 mijë familje me punë dhe bukë, janë në fakt probleme që burojnë prej tyre. Po ashtu qeveria justifikohet se këto biznese nuk kanë përse ankohen tek qeveria për paaftësinë e tyre për t’u vetërregulluar në një treg ku leku forcohet jo prej ekonomisë së fortë por prej ekonomisë së pisët.
Kjo alibi e qeverisë do qe e besueshme nëse disa ngjarje nuk do kishin ndodhur në fund të sesionit parlamentar. Evente që tregojnë se në fakt qeveria e ka të qartë se kush ëshë fajtori dhe që përpiqet t’i shmanget tani përgjegjësisë pasi të gjithë po e tregojnë me gisht atë, dmth fajtorin.
Në seancën e fundit parlamentare një nga projektligjet e miratuara nga kuvendi ishte dhe një propozim për të ndryshuar mënyrën e pagesës së taksave dhe tatimeve nga ana e disa kompanive eksportuese të prekura nga vlerësimi jonormal i lekut dhe zhvlerësimi euros.
Siç edhe kuptohet, propozuesi ndryshimeve ishte qeveria shqiptare, që në relacion evidentonte se arsyeja ishte për të mbrojtur eksportuesit nga ky forcim i lekut. Forcim, që për të gjithë ata që nuk duan të gënjejnë veten me të pavërteta, vjen jo nga faktorë ekonomikë.
E solla në vëmendje këtë rast për t’i bërë me dije shqiptarëve se qeveria ka me gjasë një arsenal të madh manipulimesh të fakteve dhe të vërtetës që ua hedh njerëzve si karamele. Por, ne duhet përherë të kemi parasysh se qeveria nuk bën atë që thotë dhe gënjen thuajse përherë në atë që bën.
Qeveria morri një masë ndaluese dhe lehtësuese për bizneset sepse e kupton edhe vetë që ato janë duke vuajtur dhe kjo rrezikon punën e mbi 100 mijë familjeve shqiptare dhe të ardhurat e tyre.
Shqipëria ka hyrë në një fazë të nxehtë dhe të rrezikshme në lidhje me ekonominë. Zhvlerësimi Euros në një kohë kur Banka Qendrore Europiane po ndjek politika monetare për të forcuar atë është shenjë se leku i fortë vjen si pasojë e ekonomisë së parasë së pisët.
Dikush, mbase mund të krenohet nga ky fakt por fatura që do të duhet të paguajmë të gjithë nëse vazhdohet me këtë politikë është shumë e kripur. Këtu, bëhet fjalë për ekonominë e çdo shqiptari. Për kursimet, të ardhurat dhe pensionin e shqiptarëve që nuk mund të lihen në duart e atyre që mendojnë se paratë e shqiptarëve duhet të përdoren për të pastruar hallet e tyre.
Kjo, nuk është një çështje e disa bizneseve që nuk duan të reformohen përballë sfidave të tregut. Përkundrazi, është rasti i një qeverie që kërkon të manipulojë tregun (siç ka bërë përherë) për të favorizuar sa monopolet dhe oligarkinë ekonomike po aq edhe monopolin e parave të pista apo dhe korrupsionit.