Koçi: NATO duhet të reagojë për shpalljen e zisë në Serbi

Koçi: NATO duhet të reagojë për shpalljen e zisë

Anëtari socialist i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, Petro Koçi, ka kërkuar reagimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), lidhur me vendimin e Serbisë, që shpalli tre ditë zije për autorët e aktit terrorist që mbetën të vrarë të dielën gjatë sulmit që ndërmorën në Kosovë.

Deputeti socialist deklaroi se shpallja e ditëve të zisë nga Beogradi, është marrje e plotë e përgjegjësisë për autorësinë e aktit terroristë.

“Shpallja e zisë në Beograd përbën deklarim zyrtar të marrjes së përgjegjësisë së Serbisë për aktin terrorist të grupit të armatosur. Vërtetohet se pushtetin në kryeqytetin politik të serbëve e ka oligarkia që ekzekutoi Xhinxhiçin dhe që ka emëruar Vuçiç në krye të pushtetit”, shkruan Koçi.

Sipas tij, “Europa duket se e ka frikë akoma prorusizmin serb dhe vazhdon politikën e përkëdheljes. Shqiptaret dhe në veçanti Kosova, janë të parët dhe më të vendosurit në llogoren kundër lojës ruso-serbe në rajon.

Është koha që NATO të reagojë me më shumë vendosmëri dhe përforcim nëpërmjet KFOR. Duhen ri-detyruar Serbia dhe serbët  të kuptojnë se nuk do të kenë asnjë shans të kërcënojnë paqen në rajon dhe integritetin territorial e institucional të Kosovës”, thekson Koçi.

“Policia e Kosovës me eleminimin e grupit terrorist nuk nderoi vetëm dinjitetin e Kosovës, por i shpëtoi nderin edhe komunitetit euroatlantik. Bunjaku nuk është  dëshmor vetëm i Kosovës dhe shqiptarisë por edhe i euroatlantizmit”, përfundon reagimin e tij deputeti Petro Koçi.

EMISIONET