Këlliçi denoncon shkeljet e qeverisë te vëzhguesit e KiE: Gara e pabarabartë por do të ruajmë votën!
Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi, priti sot delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që janë me mision vëzhgimi për zgjedhjet vendore, dhe ndau me ta disa shqetësime lidhur me gjithë instrumentat që sipas tij ka përdorur qeveria për ta bërë këtë garë të pabarabartë, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
Megjithatë, Këlliçi thotë se i siguroi përfaqësuesit se Opozita ka marrë të gjitha masat për të ruajtur votën dhe paprekshmërinë e saj.
"Gjithashtu, i garantova se me kthimin e Opozitës në pushtetin vendor, në drejtimin e bashkive, do të rikthehet gjithashtu demokracia vendore, decentralizimi dhe ushtrimi i pushtetit të qytetarëve".
Belind Këlliçi thotë se "kjo do të jetë një arritje e madhe për vendin, kur dihet se në 4 vitet e fundit, autonomia vendore, nuk ka ekzistuar, gjithë pushteti është centralizuar në një dorë, dhe qytetarët kanë qënë të papërfaqësuar dhe zëri i tyre nuk është dëgjuar".