Integrimi, Tabaku: Ne nuk kemi absolutisht asnjë listë detyrimesh përmbyllëse për secilin prej kapitujve

Një përplasje e re ka përfshirë skenën politike, teksa opozita ka ngritur alarmin për mungesë totale transparence nga ana e qeverisë në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Deputetja Jorida Tabaku iu drejtua ndaj mazhorancës për arrogancë dhe përpjekje për të kaluar ligje thelbësore në mënyrë të fshehtë, duke e kthyer rrugëtimin europian në një proces të mbyllur dhe ekskluzivisht qeveritar.

Në një fjalim të mbajtur në institucionin ligjvënës, Tabaku  theksoi se deputetët nuk kanë në dispozicion asnjë listë konkrete të ligjeve dhe detyrimeve përmbyllëse për Konferencën e Tetë Ndërqeveritare.

Jorida Tabaku: “Po në fakt shërben edhe për të çjerrë pak fytyrën e kësaj propagande dhe kësaj arrogance që ka arritur limitet sot. Për çështjen e Zvërnecit dhe të Nartës unë do flas pak më vonë dhe për qëndrimin tim për një betejë të gjatë të Partisë Demokratike, por sot dua të ngre dhe të kërkoj, edhe si zëvendëskryetare e komisionit parlamentar të stabilizim asocimit, por njëkohësisht edhe si kryetare e komisionit të të drejtave të njeriut dhe mjeteve të informimit, transparencë për konferencën e tetë ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Europian.

Ne nuk kemi asnjë informacion për detyrimet përmbyllëse. Ne nuk kemi asnjë listë ligjesh që do diskutohen në parlament. Ne nuk kemi absolutisht asnjë listë detyrimesh përmbyllëse për secilin prej kapitujve. Partia Demokratike nuk është numër këtu në parlament dhe të na thoni ky ligj është për integrimin, ky ligj nuk është për integrimin dhe hajde miratojeni.

Ne duam një debat kombëtar për të gjitha detyrimet dhe ligjet që do kalojnë këtu në parlament. Ne duam transparencë. Mbështesim të gjitha shqetësimet e shoqërisë civile, të 30 organizatave që kanë ngritur dje për proces ligjor të hapur. Për ligje që nuk duhet të bëhen shpejt, që nuk duhet të bëhen keq.

Në emër të Partisë Demokratike kemi ngritur dhe një grup pune në komisionin e të drejtave të njeriut për të punuar për ligjet e medias, për të dhënë kontributin tonë, por ne duam që ky proces të jetë një proces kombëtar. Jo një proces i mbyllur, jo një proces politik i qeverisë, por një detyrim që e ka e gjithë shoqëria shqiptare. Jemi angazhuar me kohë për ta bërë këtë, kemi kërkuar në të gjitha instancat që kjo të ndodhi dhe të mos përsëritet ajo që ndodhi në shtatorin e shkuar.

Kemi dhënë kontributin tonë për ndryshimet e Kodit Penal dhe nuk u morën parasysh, i ke detyrimet aty në IBAR. Kemi dhënë kontributin tonë për shumë ligje të tjera të cilat nuk janë marrë parasysh, i ke detyrime aty në IBAR.

Duhet që ky të jetë një proces gjithëpërfshirës. Në grupin e kapitullit të parë që është përgjegjësi dhe e komisionit që unë drejtoj, ne kemi kërkuar që në momentin e parë që të hapim një debat publik. Për median së pari por njëkohësisht dhe për çështje të tjera të drejtave të njeriut. Së dyti, i kemi bërë ftesë organizatës së Reporterët Pa Kufij që do vijnë do të raportojnë në parlament javën e ardhshme.

Unë e kuptoj që kryeministri i Shqipërisë kërkon që ato të kenë një debat me të, po ato do ta kenë debatin në parlament me datën 22 qershor, kushdo që është i interesuar të bëhet pjesë, le të vijë atje, kemi kërkuar një debat dhe me të gjitha organizatat e shoqërisë civile për kapjen e medias në Shqipëri dhe problemet që ka media".

NDIQNI PUNIMET E SOTME TË KUVENDIT NË SEANCË PLENARE

EMISIONET