Celine Dion i jep lamtumirën partnerit të “Beauty and the Beast”, Peabo Bryson!

Këngëtarja e njohur Celine Dion ka shprehur dhimbjen e saj pas ndarjes nga jeta të legjendës së muzikës R&B, Peabo Bryson, me të cilin interpretoi këngën e famshme “Beauty and the Beast”, kolonën zanore të filmit të Disney-t të vitit 1991.
Në një mesazh prekës, Dion tha se është “zemërthyer” nga humbja e artistit 75-vjeçar.
“Zëri i tij i jashtëzakonshëm dhe shpirti i tij i mirë mishëronin bukurinë e muzikës dhe performancës”, shkroi ajo.
Bryson dhe Dion fituan një çmim Grammy për interpretimin e tyre të këngës “Beauty and the Beast”. Një vit më vonë, Bryson fitoi një tjetër Grammy për duetin “A Whole New World” nga filmi “Aladdin”, së bashku me Regina Belle.
Familja e artistit konfirmoi se ai ndërroi jetë të martën, i rrethuar nga të afërmit dhe njerëzit e dashur. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik, megjithatë mediat raportojnë se Bryson kishte pësuar një goditje në tru gjatë fundjavës dhe po merrte trajtim mjekësor.
Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, Bryson u bë i njohur me hite si “Feel the Fire”, “I'm So Into You”, “Can You Stop the Rain”, “If Ever You're In My Arms Again” dhe “Reaching for the Sky”.
Dion kujtoi gjithashtu mbështetjen që ai i dha në fillimet e karrierës së saj ndërkombëtare.
“Ai ishte shumë i mrekullueshëm dhe bujar me mua kur regjistruam ‘Beauty and the Beast’. Më bëri të ndihesha rehat, ndërsa sapo po mësoja të këndoja në anglisht”, tha ajo.
Në deklaratën e familjes thuhet se muzika e Bryson ka shoqëruar disa nga momentet më të bukura të jetës së miliona njerëzve.
“Për më shumë se pesë dekada, zëri i jashtëzakonshëm i Peabo-s ishte kolona zanore e disa prej momenteve më të dashura të jetës. Trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat e atyre që e donin dhe të gjithë atyre që u prekën nga muzika e tij”, thuhet në reagim.
Vetëm pak javë më parë, Bryson kishte performuar në një koncert në shtetin e Xhorxhias në SHBA dhe po përgatitej për disa koncerte të turneut të tij “Golden Touch”, me të cilin do të festonte pesë dekada në industrinë muzikore.
Në prill, ai kishte festuar 75-vjetorin e lindjes mes familjarëve dhe miqve të tij, duke ndarë fotografi nga festa në rrjetet sociale./BBC

