Incineratorët dhe udhëtimet me çarter të Ramës, Bozdo: SPAK i kapur, në Republikën e Maliqit vetëm maliqtë shohin ditë të bardha
Socialistët dhe demokratët në Kuvend janë dakord se ndryshimi i ligjit për Komisionet Hetimore Parlamentare është domosdoshmëri pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Por mënyra si mënyrat që propozojnë janë të ndryshme.
Në Konferencën e Kryetarëve të 12 janarit, socialistët hodhën poshtë kërkesën e demokratëve për hetimin e udhëtimeve me charter të kryeministrit Edi Rama.
Eno Bozdo i ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se mazhoranca bëhet pengesë për shkak se në hetim është vetë Rama.
Por të pafuqishëm përballë numrave në Kuvend, ai thotë se opozita do ti drejtohet Kushtetueses.
Bozdo: Në një kohë kur prokuroria është pothuajse në kontrollin e PS, SPAK ka treguar deri tani minimalisht me vepra se është edhe më i kontrolluar se prokuroria në çështje që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me figura shumë të larta të kësaj mazhorance. Ndryshe ndoshta dy qeveritë e Edi Ramës do ishin pas prangave. Instrumenti i vetëm që ka opozita është të bëjë një hetim të këtij lloji. Kryeministri ka shpenzuar 22 mln euro për udhëtime me çartera.
Gjetjet ja dërgon SPAK. Këtë gjë PS nuk e do, Edi Rama është vetë i hetuar në këtë rast. Voton për mos hetimin e tij. Përballë forcës së kartonave në Kuvend opozita do ti drejtohet sërish Gjykaës Kushtetuese.Do të bëjmë deri në fund misionin tonë. Në këtë aferë tregohet me fakte dhe prova si kryeministri ka përlarë në xhepat e shqiptarëve 22 milion euro që ai dhe familjarët e tij të udhëtojnë në komoditetin më të madh. Kjo është skandaloze.
Kritik ai është edhe me SPAK në raport me aferën e incineratorëve. Teksa në bindjen e tij kjo çështje është drejt mbylljes përgjegjësit kryesorë kanë mbetur të paprekur.
Bozdo: Incineratori i Tiranës nuk është prekur fare, aty janë faktet më skandaloze. Abuzimi më i madh është aty. SPAK nuk do të ketë kurrën e kurrës kuarjon për ti shkuar kësaj të vërtete deri në fund për shkak të presionit dhe kontrollit politik. SPAK heton çështje me rëndësi të dorës së tretë apo të katërt.
Afera e incineratorëve është pothuajse e mbyllur dhe nuk pres zhvillime të tjera. Fakte tronditëse dalin për Arben Ahmetaj, faktet për Ëngjëll Agaçin pothuajse janë shuar. Të gjitha këto të çojnë Rama. Në Republikën e Edi Ramës ndodhet dhe SPAK i kapur prej Edi Ramës. Të jesh optimist është e tepërt në një situatë të tillë. Në Republikën e Maliqit vetëm maliqtë shohin ditë të bardha.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.