“Hesht për “McGonigal"", Berisha: Në kyçjen e gojës nga Rama ka ndikuar Yuri Kim

Në mungesë të një sqarimi publik nga ana e kryeministrit Edi Rama lidhur me skandalin e dosjes ruse që po hetihet nga FBI, e cila kulmoi me arrestimin e mikut të Ramës, ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga foltorja e selisë blu deklaroi se në heshtjen e ramës për këtë skandal ndërkombëtar një rol të rëndësishëm ka ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

"Jam sot këtu për të denoncuar para shqiptarëve dhe opinionit publik ndërkombëtar, kodin e heshtjes që po aplikojnë disa persona ndaj ngjarjes që ka tronditur thellë opinionin publik të SHBA, Shqipërisë, Europës dhe mbarë vendeve të lira.

Afera Edi Rama-McGonigal është një nga aferat më të shëmtuara, është një akt të cilin mund ta ndërmerrnin Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kim Jong-un dhe vetëm ata.

Është një akt që kurrë një kryeministër i një vendi partner, nuk mund t’i lejonte vetes të ndërmerrte ndaj SHBA, vendit më kryesor në sigurinë e paqes, në hapësirën euroatlantike dhe në botë.

Ndaj kësaj ngjarje tronditëse, Edi Rama u zhduk pesë ditë me kodin absolut të heshtjes.

Edi Rama nuk foli një fjalë, u sëmur nga gripi diplomatik, burime të tjera thonë se fluturoi jashtë vendit, por një gjë është e sigurtë; 5 ditë me radhë, në një kohë kur të gjitha mediat e botës lakonin për zi emrin e tij, për fat të keq dhe të Shqipërisë, që kishte përdorur një ish-oficer të sigurimit të shtetit për të korruptuar njeriun më të jashtëzakonshëm të agjencisë më të fuqishme të planetit, shefin e kundërinteligjencës së FBI-së, Charles McGonigal.

Edi Rama hesht si kurrë ndonjëherë në jetën e tij. Burime plotësisht të besueshme më kanë informuar se në heshtjen e Edi Ramës, një rol të veçantë ka guvernatorja Yuri Kim. E cila i ka kërkuar atij të mos bëjë asnjë deklaratë.

Po këto burime informojnë se, deklarata qesharake e Edi Ramës për të përgënjeshtruar miqësinë e tij me McGonigal, të cilin edhe mediat më të mëdha amerikane po e tallin, ka qenë një këshillë e guvernatores", deklaroi Berisha.

Po ashtu, Berisha theksoi se edhe Lulzim Basha ka mbyllur gojën si me zinxhirë, dhe heshtja e tij, shtoi ai, është e turpshme!

"Në këto momente kur zien e gjithë bota, kur zien mediat e gjithë botës dhe jo vetëm të SHBA, ajo që bën përshtypje më të madhe është se edhe viktim-Basha ka mbyllur gojën si me zinxhirë.

A mund të imagjinoni ju ndonjëherë, një rast kur krimineli që e vrau atë, që përdori një nga njerëzit më të fuqishëm të planetit në fushën e zbulimit kundër tij, tani nuk flet prej 7 ditësh asnjë fjalë, sikur nuk ekziston.

Ftoj shqiptarët të pyesin: si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri tani që u bë e qartë se Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë në aferën Muzin kundër tij, nuk thotë një fjalë të vetme.

Gjithçka flet se përsëri, guvernatorja qëndron prapa heshtjes së tij. Heshtjes së turpshme, të turpshme, të turpshme. Mirë Rama, që është autori i një vepre makabër, por viktima e tij, si nuk gjen forcë të shqipërojë një fjalë të vetme?

I bëj thirrje çdo shqiptari të shtrojë pyetjen: çfarë ndodh, si ka mundësi? A ka një detyrim minimal ky njeri, qoftë edhe ndaj atyre që e kanë mëbshtetur gjer në fund, por edhe tani madje e mbështesin, të bëjë transparencë.

Të bëjë transparencë edhe kush i bën presion për të mbyllur gojën. Unë nuk jam i habitur, e kam quajtur peng atë, por në situatën e re të krijuar, ai ka një detyrim. Njeriu gjithmonë ka një detyrim jashtë vetes së tij.
Ky është kodi i heshtjes që zbatohet me fanatizëm si nga krimineli, edhe nga viktima", theksoi Sali Berisha.

agjenti i fbi edi rama charles mcgonigal fbi sali berisha yuri kim skandali

EMISIONET