Fushata me tensione në Has, kandidati socialist ankohet për rivalin: Bllokoi mjetin me transformatorin e OSHEE
Vijon të jetë e tensionuar fushata në Has. Pas bllokimit të makinës së djalit të kandidatit socialist për bashkinë e Hasit, Halit Mulaj, me pako me ndihma nga rezervat e shtetit, ky i fundit sonte ka denoncuar se kandidati i opozitës Miftar Dauti me vëllain dhe kushërinjtë e tij, i ka zënë pritë automjetit të OSHEE që po transportonte transformatorin për fshatin Helshan të mbetur në errësirë.
Denoncimi
Denoncoj me forcë dhe kërkoj publikisht që, Policia e Shtetit dhe institucionet ligjzbatuese të reagojnë urgjentisht!
Në një kohë që fshati Helshan është në errësirë të plotë, pasi është djegur transformatori dhe OSHEE mori masa për zëvendësimin e tij, Miftar Dauti me vëllain dhe kushërinjtë e tij, i ka zënë pritë automjetit që po transportonte transformatorin!
Ata kanë bllokuar automjetin, bashkë me drejtuesin e tij, duke u përpjekur që ta intimidojnë.
Ky veprim i shëmtuar dhe i neveritshëm, jashtë çdo logjike njerëzore, bëhet vetëm nga këta njerëz, që veç njerëz nuk mund të konsiderohen!
Ky njeri, çdo ditë e më shumë, po tregon anën e tij negative duke u prezantuar te çdo qytetar i Hasit me karakterin e tij të vërtetë!
Dita e gjykimit me votë nga Ju po vjen dhe Jam i bindur se, Ju do ta refuzoni atë masivisht duke e ndëshuar me votë!