Firojnë edhe deputetët, 11 parlamentarë në mbështetje të Alibeajt: Mbështesim siglën
Pas dorëheqjes së kandidatëve, Alibeajt duket se i janë rralluar edhe deputetët. Në mbledhje për përgatitjen e fushatës morën pjesë vetëm 11 prej tyre që deklaruan se mbështesin 13 emrat e mbetur në garë.
Me një listë ende jo zyrtare dhe me kandidatë që vijojnë të ikin nga gara, Enkelejd Alibeaj vijon me përgatitjet për fushatën.
Efektet u panë dhe te mbledhja e grupit parlamentar.
Në takimin që zgjati rreth një orë morën pjesë vetëm 11 deputetë që deklaruan se do mbështesin 13 kandidatët që janë ende në garë për kryetar.
Mungesat e kandidatëve në 2 të tretat e zonave nuk i ka bërë përshtypje, por u shprehën se do të mbështesin vetëm listën nën siglën zyrtare.
Açka: Mos i përçajmë demokratët deri në fund, mos të çojmë skizmën deri në fund. Kush e filloi të mbajë përgjegjësi për atë që ka filluar. Ne nuk do të hedhim kripë në plagë, kaq. Unë do të mbështes PD dhe njoh vetëm logon e PD.
Agalliu: Unë do të mbështes këdo që është në logon e PD. Mendoj se çdo luftë, çdo përpjekje do të përqëndrohet kundër kësaj qeverie, kundër bashkive aktuale. Ne kemi nxjerrë logon e PD duke u dhënë mundësi demokratëve të votojnë të djathtën.
Nga data 27 mars që ishte afati i regjistrimit e deri më tani, 6 kandidatë të Partisë Demokratike janë tërhequr nga gara, situata të ndodhura në Lezhë, Kurbin, Librazhd, Vorë, Korçë dhe më së fundi kandidati i Krujës.
Kandidatët e dorëhequr
Lezhë- Sandër Marku
Kurbin- Genc Doçi
Librazhd- Bujar Vreto
Vorë-Ibrahim Bruka
Korçë- Gjergj Gjata
Krujë- Sabah Sheta