E vetmja grua në garë për Tiranën, Përnaska tregon vendimin për të garuar për PDIU: Prita që PD…
Ish-deputetja e PD-së, Lajla Përnaska, është e vetmja grua mes 6 kandidatëve për bashkinë e Tiranës.
Ajo garon nën siglën PDIU.
Me sloganin "Ti je vlera e Tiranës", ajo tregoi në "Ora e Betit" se fokusi i saj janë vetë qytetarët.
"Vetë slogani tregon se ne i drejtohemi drejtëpërdrejtë qytetarit dhe votuesit për ti dhënë gjithë autoritetin e duhur për tu bërë pjesë e procesit zgjedhor. Kemi parë një distancim nga pjesëmrrja në votime. Edhe në një proces normal prirja në votime për zgjedhjet lokale ulet 15-20%. Kemi një situatë të veçantë në këto zgjedhje. Nuk ka gjenerim real nga opozita për të qenë një alternativë reale fituese dhe kjo e ka mpirë kontigjentin e votuesve në krahun opozitar".
Fushatën e sheh të pabarabartë.
"Kjo fushatë është e pabarabartë. Në këtë garë jam totalisht e përkushtuar dhe kam platformën time që i adresohet çdo qytetari të Tiranës. Ka zhgënjim nga Veliaj por dhe një kontigjent që kërkon qasje tjetër, elektorati gri apo partia e abstenimit siç e quajmë".
Edhe pse e paangazhuar politikisht me PDIU, ajo është falenderuese që i mundësoi regjistrimin.
"Gjeta dakordësinë e lidershipit të PDIU që mbështeti regjistrimin për tu përfshirë në garë por gjithë fushata dhe angazhimi im është individual. Marrëdhënia ime me PD dhe pse është afatgjatë dhe kam bërë beteja të forta politike, kam qenë dhe fituese, dy mandate të fituara në Tiranë. Marrëdhënia erdhi duke u ftohur sepse PD pas 2013 filloi të bëhet një parti e mbyllur dhe përjashtuese.Pritshmëria ime ishte e lartë që PD të dilte me një kandidat të përbashkët. Por pashë që ky vullnet nuk ekzistonte".
Pyetjes nëse do ti prishë punë PD në kryeqytet, ajo i dha këtë përgjigje.
"Vetë PD është e ndarë. PD zyrtare ka kandidatin e saj, Berisha i është bashkangjitur partisë së Metës".