E njofton Rama: Shqipëria mbledh firmat në Këshillin e Evropës për rrëzimin e raportit të Dick Marty për luftën e UÇK
Shqipëria do të paraqesë kërkesën për zhvillimin e mocionit me qëllim miratimin e rezolutës në Asamblenë e Këshillit të Evropës kundër akuzave të ish-krerëve të UÇK.
Lajmin e ka dhënë përmes facebook kryeministri Edi Rama, pikërisht në ditën kur në Hagë katër ish-krerët e ushtrisë po përballen në gjykatë me prokurorët.
Rama: I mblodhëm më në fund firmat në Asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme çlirimtare të kosovës për trafikun e organeve njerëzore .
Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.
Në fakt kërkesa ka lindur në tetor të vitit të shkuar kur Rama në Këshillin e Evropës e quajti ‘fake news’ raportin e Dick Martyt për krimet e pretenduara se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.
Tashmë me firmat e marra, Kryeministri do të kërkojë të shpallen të papazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Pretendimet janë ngritur në vitin 2011 nga raporteri i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty.