Deputeti Basha në Berat: Të kthejmë vendimmarrjen te qytetarët me listat e hapura
Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me të rejat dhe të rinjtë e Beratit, ku u bashkuan edhe anëtarë e kontributorë ndër vite të Partisë Demokratike.
Basha tha se “partia më e madhe në 14 maj është ajo e shumicës së heshtur që refuzoi të zgjedhë midis dy të këqijave, ndaj të gjithë së bashku duhet të nisim një ndryshim rrënjësor të sistemit tonë politik, duke e kthyer vendimmarrjen te qytetarët nëpërmjet listave të hapura, vetingut të politikanëve, kufizim të mandatit të Kryeministrit dhe garantimin e votës së diasporës”.
Sipas tij, “janë bërë bashkë të dyja palët për të ndaluar vetingun e politikanëve”.
“Ata nuk duan ta bëjnë këtë transparencë, dhe ndërkohë vijojnë të akuzojnë njëri-tjetrin, të hedhin baltë dhe të mashtrojnë sepse nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Sepse vetëm me konflikt dhe baltosje ata i dekurajojnë njerëzit, dhe mbeten të qetë në zullumin e tyre. Pushteti pa limit favorizon korrupsionin dhe nuk iu shërben njerëzve. Ne i kemi kufizuar mandatin presidentit që ka shumë më pak kompetenca, ndërkohë që i kemi dhënë pushtet pa kufi kryeministrit. Kjo duhet të marrë fund”, shtoi ai.
Basha tha se “Shqipërisë i nevojitet edhe një ligj i duhur për referendumet, pasi populli nuk ka pse i kthen sytë gjithmonë nga Parlamenti, kur mund të ketë mundësinë ta kalojë vetë një ligj, apo ta ndalojë një ligj, që është kundër interesave të tyre”.
“Hapi i parë për ndryshim është që t’i japim forcë qytetarit, të shtrojmë rrugën që të rinj me formim dhe mendësi tjetër nga ajo e politikës së vjetër, të marrin përgjegjësinë e tyre për fatin e vendit”, tha ai.