Rikthehet Kuvendi, Ndreca: Mazhoranca punët më të mira i ka bërë pa opozitën.Mandati i katërt, i padiskutueshëm për PS-në
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Ndreca, dy orë para nisjes së punimeve parlamentare për këtë vit të ri, në studion e lajmeve në “Ora News” bëri me dije se ajo që synohet është rikthimi i Kuvendit dhe punimeve të tij në normalitet.
“Ne do të vijmë punën normalisht siç kemi vijuar deri tani punën tonë. Prioritet është që jeta e Kuvendit të vijojë normalisht, të vijojmë detyrat që kemi bërë. Besoj se e keni marrë vesh edhe nga mbledhja e grupit parlamentar që është bërë sot.
Opozita, siç ka qenë rasti i reformës në drejtësi ka marrë pjesë vetëm kur është detyruar ta bëjë.
Kështu që ne do të vijojmë punën për t’i realizuar detyrat konform raportit që ne kemi me qytetarët.
Qeveria riformatohet vazhdimisht, për arsyen e vetme që ajo t’i shërbejë sa më mirë qytetarëve, kështu që nuk kemi asgjë për të aluduar mbi gjëra që nuk janë reale. Ministritë e reja u përgjigjen nevojave të kohës, dhe i përgjigjen më mirë angazhimit tonë.
Mazhoranca punët më të mira i ka bërë pa opozitën. Ne do vijojmë punën, pasi atyre në atë çfarë kanë vendosur të bëjnë nuk ia ka fajin as Parlamenti dhe askush.
Listat e hapura për mua e rrisin edhe më shumë garën edhe brenda një force politike. Gjithsesi mbetet për t’u parë se si do të vijojë kjo reformë.
Mendoj që Partia Socialiste është gati edhe për mandatin e katërt qeverisës. Jo mendoj por mandati i katërt është i padiskutueshëm për PS-në”, u shpreh ndër të tjera ligjvënësi socialist, Eduard Ndreca.



